Studiuesi italian 30-vjeçar Youssef Siher, me origjinë marokene, është liruar nga arresti me burg, pasi gjykata në Milano refuzoi të konfirmonte arrestimin dhe të caktonte masën e paraburgimit të kërkuar nga prokuroria. Ai ishte arrestuar në cilësinë e administratorit të kanalit në Telegram “Movimento 17 ottobre” (Lëvizja 17 Tetori).
Vendimi u mor të shtunën në mbrëmje nga gjyqtarja Tiziana Landoni, e cila nuk pranoi kërkesën e prokurores Francesca Crupi, që drejton hetimet së bashku me prokurorin Marcello Viola.
Prokuroria e akuzon Siherin dhe bashkëshorten e tij, e cila është nën hetim por mbetet e lirë, për nxitje të kryerjes së krimeve, me rrethana rënduese që lidhen me terrorizmin dhe dhunën e organizuar gjatë një manifestimi publik.
Nga ana tjetër, gjyqtarja mbështeti argumentet e mbrojtjes, të paraqitura nga avokatët Benedetto Ciccarone dhe Yasmina Abu Sharar, të cilët kundërshtuan pretendimet e prokurorisë dhe domosdoshmërinë e mbajtjes së tij në paraburgim.
Në arsyetimin e saj, gjyqtarja vuri në dukje se përmbajtjet e publikuara në kanalin Telegram “Movimento 17 ottobre” përfshinin shprehje proteste kundër “politikave aktuale të qeverisë”, si dhe thirrje për akte të “mosbindjes civile”.
Megjithatë, sipas saj, këto mesazhe nuk përktheheshin në sjellje të dhunshme apo kriminale, por në organizimin e demonstratave javore, të menduara për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të përfshirë sa më shumë njerëz.
Meloni: “Një vendim i turpshëm”
Vendimi shkaktoi reagimin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila e cilësoi atë si të turpshëm në një video të publikuar në rrjetet sociale.
“Besoj se kjo është një fyerje e papranueshme ndaj punës së policisë, hetuesve, Ministrisë së Brendshme dhe, më gjerë, ndaj të gjithë atyre që përpiqen të mbrojnë qytetarët e ndershëm nga rreziku i shkatërrimit të qyteteve dhe bizneseve të tyre”, deklaroi Meloni.
Më 27 tetor, Siher vendosi të mos i përgjigjej gjyqtares Landoni. Sipas mbrojtjes, ai beson se ka ushtruar liritë dhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe se nuk e kishte menduar se mesazhet e shkruara e të dërguara në Telegram mund të çonin në burgosjen e tij për akuza kaq të rënda.
Studiuesi mohon të ketë kryer veprat penale që i atribuohen. Ai këmbëngul se në bisedat e kanalit “Movimento 17 ottobre” nuk ka përdorur gjuhë të dhunshme për të nxitur rebelim kundër rendit kushtetues apo për të promovuar një “luftë” kundër qeverisë së Melonit.

