Emisioni “Debat Plus” me Ermal Pandurin ka mësuar ekskluzivisht detaje për aksionin e arrestimit të Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, i cili u arrestua mbrëmë, pak para mesnatës.
Sipas informacioneve, negociatat për dorëzimin e të dyshuarit i zhvilloi një polic i Njësitit të Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës. Pas negociatave, ai ia dorëzoi Sylajn njësive policore të angazhuara në rast, përfshirë pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (FIT).
Debat Plus në TV Dukagjini ka siguruar edhe fotografi ekskluzive nga aksioni i mbrëmshëm, ku shihet ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë për rajonin e Pejës, Agron Hasnaj, i cili ishte i pranishëm gjatë operacionit të arrestimit.
Hasnaj nuk i është përgjigjur telefonatave të Pandurit për Debat Plus as mbrëmë, as sot, për të komentuar nëse do të japë dorëheqje pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.