Në fshatin Backë të Skraparit, fermeri Hatem Gurra, i cili ka lidhur kontratë qiraje për kullotjen e bagëtive dhe ka shlyer detyrimet ndaj bashkisë, prej kohësh përballet me një konflikt për kullotën që përdor.
Një person tjetër pretendon, se sipërfaqja i përket atij, ndërsa mosmarrëveshja e pazgjidhur, po i sjell pasoja të rënda fermerit, të cilit, sipas denoncimit në emisionin “Stop”, po i ngordhin delet.
Përgjegjësi i Shërbimit Pyjor, Besnik Demko, pohon se denoncuesi Hatem Gurra ka të drejtë në kërkesën e tij dhe se pala tjetër ka një parcelë të ndryshme, por përpjekjet e bëra deri më tani nuk kanë sjellë zgjidhje.
Nga ana tjetër, Luan Gjoni i kundërshton pretendimet e fermerit, duke këmbëngulur, se prona është e regjistruar me dokumentacion të rregullt dhe se nuk ka arsye të përfshihet në një proces gjyqësor.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë, Adriatik Mema, pranon, se është në dijeni të problematikës dhe premton, se do të ringrejë një grup pune, në bashkëpunim me komisariatin, për t’i dhënë drejtim konfliktit.
Hatem Gurra, denoncues: Jam banor në fshatin Backë. Kam kontratë qiraje me Pyjoren, për të kullotur bagëtinë, por kam konflikt me një person, që pretendon, se ajo kullotë, i përket atij.
Besnik Demko, dr.Shërbimi Pyjor: Qytetari ka të drejtë për atë, që kërkon. Pala tjetër ka parcelë tjetër dhe ka firmosur për të. Kemi shkuar disa herë për zgjidhje. Nuk ka qenë e mundur.
Luan Gjoni: Ai nuk ka konflikt fare. Konfliktin e bën ai. Prona është e regjistruar me dokumenta, me të tëra. Ajo parcelë është nr.16 e tëra. Po! Jo, ajo është gënjeshtër. Unë s’kam, pse të bëj gjyqësor. Ai, që kërkon, le të hapë gjyq! S’kam punë me Hatem Gurrën, fare, unë! Shëndet e gjithë të mirat, kalofsh mirë!
Adriatik Mema, kryetar i bashkisë: Do ta bëj patjetër! Kam dijeni, që mbaron në fund të tetorit dhe çdo gjë, që do të rinovohet, do të rinovohet vetëm në funksion të zgjidhjes së problematikës, që ka ai qytetar. E di, por edhe Besniku, që ju keni aty, ka shkuar disa herë vetë, për ta zgjidhur këtë gjë, jo nga zyra, që ta dish. Ma jep pak Besnikun! Do të bisedoj me shefin e komisariatit, do të nisim prapë një grup ditën e martë, që t’i japim një drejtim kësaj gjëje.
/Stop











