Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim për Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.
Zekaj u vra të dielën në mbrëmje, pasi dyshohet se u godit për vdekje me sëpatë. I dyshuari, i cili është kunati i saj, u arrestua të martën në orët e vona, pas tri ditësh në arrati.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj kishte dërguar një letër në Prokurorinë e Pejës, ku kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje kërkesat për përgjegjësi institucionale në rastet e dhunës ndaj grave. Në shenjë proteste dhe kërkese për drejtësi, sot në Prishtinë u mbajt një tubim me pjesëmarrje të gjerë qytetarësh.

