Një ngarkesë me fiq të thatë e nisur nga Shqipëria është bllokuar në Kroaci për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar nivel të lartë të aflatoksinës B1. Ngarkesa do të asgjësohet, shkruan Shqiptarja.
Aflatoksina B1 është një mykotoksinë e njohur e cila mund të gjendet në ushqimin e kontaminuar për kafshët dhe në një shumëllojshmëri produktesh bujqësore. Ajo mund të shkaktojë helmim akut dhe kronik, formim të tumoreve dhe ndryshime në zhvillimin neurologjik.
Mëlçia është organi kryesor që preket. Ekspozimi akut ndaj dozave të larta shkakton mosfunksionim të mëlçisë, verdhëz, dhimbje abdominale, të vjella dhe konvulsione.
