Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka shënuar fitoren e radhës në FIBA Europe Cup.
Të mërkurën mbrëma në Tbilisi të Gjeorgjisë, skuadra mitrovicase fitoi bindshëm ndaj Batumit, me rezultat 91:70.
Ndeshja i takoi xhiros së katërt të Grupit A. Për Trepçën është fitorja e tretë rresht. Kishte fituar ndaj Splitit në Kroaci dhe ndaj Opavas çeke në Mitrovicë. Në xhiron e parë “xehetarët” pësuan në “Minatori” nga Patrasi grek.
Batumi e pësoi humbjen e katërt rresht.
Dallimi në cilësi ishte i madh dhe kjo u bë e qartë që në çerekun e parë të ndeshjes së luajtur në praninë e pak shikuesve. 27:15 në të mirë të Trepçës përfundoi çereku i parë. Epërsia u rrit edhe për një pikë në çerekun e dytë, ndërsa në pushim Trepça kishte avantazh prej 46:33.
Në pjesën e dytë skuadra gjeorgjiane kërkoi reagimin, por pa sukses. Çereku i tretë përfundoi 25:22 për Batumin. Në çerekun e katërt gjeorgjianët u afruan në pesë pikë, por më pas Trepça rriti epërsinë për fitore bindëse, prej plot 21 pikëve në fund.
Edhe
Trepça në Gjeorgji për fitoren evropiane të radhës
Shawn Jones dhe Drilon Hajrizi shkëlqyen te mitrovicasit. Jones i kishte 17 pikë, 12 kërcime e tri asistime. Hajrizi kontribuoi me 29 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime.
Ken Hasbrouck i kishte 17 pikë e katër asistime, ndërsa Mikaile Tmushiq realizoi 13 pikë e katër kërcime.
Me këtë fitore, Trepça rrit edhe më shumë gjasat për avancim nga Grupi A. Pas një jave mitrovicasit luajnë ndaj Trierit në Gjermani.