Spanja nis sot tri ditë zie kombëtare pas aksidentit tragjik hekurudhor me 68 viktima

Botë | 1 minutë më parë

Spanja nis sot tri ditë zie kombëtare pas aksidentit tragjik hekurudhor që u mori jetën të paktën 68 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Tragjedia konsiderohet ndër katastrofat më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës. Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës në vendin e aksidentit, duke përdorur prozhektorë, dronë dhe helikopterë për të kërkuar viktimat dhe për të larguar rrënojat. Sipas autoriteteve, disa prej viktimave ende nuk janë identifikuar.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e djeshëm (28 tetor), kur një tren i kompanisë private Iryo, që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes, u përplas me një tren të kompanisë shtetërore Renfe. Përplasja bëri që disa vagonë të dilnin nga shinat dhe të rrëzoheshin poshtë një argjinature. Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Óscar Puente, treni i Iryo-s, me 147 pasagjerë në bord, ishte ndalur në shina për shkak të një defekti kompjuterik. Ndërkohë, treni i Renfe-s transportonte 397 pasagjerë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Regjistrimet audio mes kontrollorëve të trafikut hekurudhor dhe makinistëve duket se tregojnë se një treni me shpejtësi të lartë iu dha leja të vazhdonte lëvizjen, megjithëse një tren tjetër kishte mbetur i bllokuar në shina.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, duke deklaruar se «e gjithë Spanja është në zi». Ai e cilësoi të papranueshme që vendi të përballej me dy aksidente të rënda hekurudhore brenda të njëjtit vit. Pas tragjedisë, shumica e partive politike pezulluan fushatat për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, rreth 1 500 persona u mblodhën në Madrid për të protestuar dhe për të kërkuar përgjegjësi nga qeveria për gjendjen e infrastrukturës hekurudhore. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën pasi disa protestues hodhën shishe dhe flakë.

Edhe Bashkimi Evropian shprehu solidaritetin me Spanjën, duke ulur flamujt në gjysmë shtizë në Bruksel. Ndërkohë, sindikata spanjolle e makinistëve të trenave njoftoi se greva e planifikuar do të mbahet, me qëllim mbrojtjen e sigurisë hekurudhore.

Ky aksident rikthen shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë. Tragjedia e fundit e ngjashme me përmasa të mëdha ishte ajo e vitit 2013, kur 80 persona humbën jetën pranë Santiago de Compostela-s.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme