Gjykata e Apelit do të shqyrtojë sot ankesën e Naim Murselit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

Seanca do të mbahet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, duke filluar nga ora 11:10 ku pritet të shqyrtohen pretendimet e mbrojtjes lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.


Mbrojtja e Murselit ka kërkuar anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Në ankesën e saj, ajo ka ngritur pretendime për mënyrën e vlerësimit të provave dhe për disa kërkesa të cilat, sipas mbrojtjes, nuk janë miratuar gjatë procesit gjyqësor.

Në shkallën e parë, më 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për përfshirjen e tyre në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në Bërnicë të Prishtinës, derisa ndodhej në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.

Ankesë ndaj aktgjykimit ka paraqitur edhe përfaqësuesi i familjes së Liridona Ademajt, i cili ka kërkuar burgim të përjetshëm edhe për Kushtrim Kokallën.

Gjykata e Apelit pritet t'i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe të vendosë për ankesat e paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë.