Pse Ukraina e ka të vështirë të godasë bazën ruse të dronëve në Krime?

Aerodromi Hvardiyske, në qendër të Krimesë së pushtuar nga Rusia, është kthyer në një pikë të rëndësishme për lëshimin e dronëve. Ushtria ukrainase thotë se e identifikoi për herë të parë si bazë për dronë sulmues në mars të vitit 2025 dhe se prej atëherë përdoret për sulme pothuajse çdo ditë. Në rusisht, objekti njihet si Gvardeiskoye.

Imazhet satelitore të 11 tetorit nuk tregojnë avionë ushtarakë, por zbulojnë infrastrukturë të re dhe më të gjerë në këtë aerodrom të epokës sovjetike. Sipas vëzhguesve, ajo lidhet me operacionet e lëshimit të dronëve.

Të lidhura

None found

Ukraina ka goditur vazhdimisht depo dhe pika lëshimi të dronëve rusë në Krime. Mes tyre janë objektet në Kepin Çauda, në skajin juglindor të gadishullit, dhe pranë Balaklavës, ku një sulm, sipas raportimeve, e nxori bazën jashtë përdorimit. Hvardiyske është sulmuar gjithashtu nga dronët ukrainas, por dëmet e shkaktuara kanë qenë të vogla.

Një banor i Krimesë, ish-oficer i ushtrisë ukrainase, i tha Shërbimit të REL-it për Krimenë se, sipas tij, vështirësia kryesore lidhet me shpërndarjen e veprimtarive në pjesë të ndryshme të aerodromit. Ai foli në kushte anonimiteti.

“Pika e lëshimit është në një vend, mirëmbajtja kryhet në një tjetër dhe depot ndodhen diku tjetër”, tha ai, duke shtuar se kjo e bën më të vështirë nxjerrjen jashtë funksionit të gjithë qendrës.

Ai vlerësoi se infrastruktura është e thjeshtë për t’u rikthyer në punë pas një sulmi dhe se disa prej objekteve janë të vendosura në hapësirë të hapur.

Në fotografinë satelitore të siguruar nga REL-i, dhjetëra objekte të paidentifikuara shihen të vendosura disa metra larg njëri-tjetrit në një hapësirë me bar, në pjesën jugperëndimore të bazës.

Ish-oficeri i tha REL-it se një magazinë nëntokësore e ndërtuar në kohën sovjetike për municionet e avionëve mund të shërbejë për ruajtjen e sasive të mëdha të dronëve sulmues. Ajo ndodhet rreth 15 kilometra larg Hvardiyske.

“Ka shumë gjasa që Shahedët të jenë fshehur atje”, tha ai. Sipas tij, depërtimi në këtë objekt të fortifikuar mund të jetë i pamundur, madje edhe me raketat e Ukrainës.

Vendndodhja e aerodromit në qendër të Krimesë, gadishull i pajisur tashmë me sisteme të mbrojtjes ajrore, mund ta bëjë atë një objektiv më të vështirë për planifikuesit ukrainas.

Ndërsa pikat bregdetare mund të sulmohen nga deti, dronët ukrainas që synojnë Hvardiyske “duhet të fluturojnë rreth 100 kilometra mbi tokë për të goditur këtë objekt, ku gjasat për t’u rrëzuar janë më të mëdha”, tha burimi.

Një fotografi arkivore tregon dronë Shahed të vendosur në hangarë në rajonin rus të Orjollit. Rusia i përdor gjerësisht këta dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, të projektuar nga Irani, kundër objektivave në Ukrainë, ndërsa prodhon edhe variante të veta.

Hvardiyske ka shërbyer më parë si bazë e aviacionit detar sovjetik, e më pas atij ukrainas. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, kontrollin e morën Forcat Ajrore dhe Hapësinore ruse. Ato vendosën aty bombardues Su-24M dhe avionë sulmues Su-25SM, përpara se baza të shndërrohej në qendër për dronët./REL


Shtuar më 29.10.2026 08:12

Quantcast