Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare për të shqyrtuar një sërë pikash, në fokus të së cilës do të jenë projektligji “Për Bankën e Shqipërisë”, ai për Këshillin Fiskal dhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.
Seanca plenare është planifikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa në rendin e ditës janë përfshirë 19 çështje për shqyrtim. Punimet do të nisin me miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, të mbajtur më 22 tetor, si dhe me njoftimet përkatëse.
Më pas, deputetët do të zhvillojnë një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Një pjesë e rëndësishme e rendit të ditës lidhet me çështjet ekonomike dhe financiare. Përveç projektligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe atij “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, deputetët do të shqyrtojnë edhe aktin normativ për një shtesë në ligjin për akcizat.
Në seancë do të diskutohen gjithashtu projektligje që prekin klimën e biznesit dhe funksionimin e shoqërive tregtare. Në këtë kuadër përfshihen ndryshimet në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, ligjin për regjistrimin e biznesit dhe ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për vitin 2024, që lidhet me programin për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike shqiptare sipas parimit të eficiencës së energjisë.
Një tjetër çështje që do të shqyrtohet është mbrojtja e konsumatorit, ndërsa deputetët do të diskutojnë edhe ndryshimet ligjore për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me synim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social. Po ashtu, në rendin e ditës janë parashikuar ndryshime në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe në ligjin për peshkimin.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe disa projektvendime që lidhen me strukturën organizative dhe pagat e personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kuadër të përgatitjeve për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027.
Në shqyrtim do të jetë gjithashtu një projektvendim për strukturën dhe kategorizimin e pozicioneve të punës në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.












