Vendosni fjalën kyçe....

Sot seancë plenare, nga interpelanca me Gonxhen te projektligji për Bankën e Shqipërisë, 18 pika në rend dite


Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare,ku pritet të shqyrtojnë një rend dite të ngjeshur, me 18 pika, ku përfshihen interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe një sërë projektligjesh që lidhen me ekonominë, sistemin bankar, biznesin dhe administrimin e pasurive të konfiskuara.

Për seancën e sotme në rendin e ditës janë përfshirë disa nisma të rëndësishme ligjore.

Një nga pikat e para është interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar votash. Në rendin e ditës është përfshirë edhe akti normativ i qeverisë i datës 25 shtator 2026, që parashikon një shtesë në ligjin për akcizat.

Një tjetër çështje është ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit financiar me Gjermaninë për vijimin e programit të rinovimit të konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, sipas parimeve të eficiencës energjetike.

Deputetët do të diskutojnë gjithashtu projektligjin për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si dhe projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Një pjesë e konsiderueshme e rendit të ditës lidhet me ndryshimet në legjislacionin për biznesin. Kuvendi do të shqyrtojë ndryshimet në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit, ligjin për regjistrimin e biznesit dhe atë për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

Në të njëjtën paketë përfshihet edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.

Në seancë pritet të diskutohen edhe ndryshimet në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social, si dhe ndryshimet në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Një tjetër projektligj që do të shqyrtohet është ai për ndryshimet në ligjin e peshkimit.

Në pjesën e fundit të rendit të ditës janë parashikuar tre projektvendime që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucioneve. Dy prej tyre kanë të bëjnë me strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë punonjësit që do të angazhohen në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Projektvendimi tjetër parashikon ndryshime në strukturën organizative dhe organikën e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.