Plagosja e rëndë e një protestuesi 24-vjeçar në sy e ka kthyer vëmendjen te përdorimi i predhave prej gome nga policia shqiptare dhe ka ngritur dyshime se standardet ndërkombëtare për përdorimin e forcës mund të jenë shkelur në mënyrë sistematike.
Më 24 tetor, retë e gazit lotsjellës mbuluan qendrën e Tiranës. Të shtënat e policisë përziheshin me shpërthimet e kapsollave dhe fishekzjarrëve të hedhur nga protestuesit.
Të lidhura
None found
Gjatë përplasjeve pranë Teatrit të Kukullave, Erjon Vishkulli, i ri nga Elbasani dhe anëtar i grupimit të tifozëve “Tifozët Kuq e Zi”, u qëllua në syrin e majtë me një plumb gome.
Regjistrimet e incidentit e tregojnë Vishkullin duke vrapuar drejt sheshit “Skënderbej”, larg vendit ku po përballeshin policia dhe protestuesit. Ai mban syrin e plagosur me dorë dhe më pas rrëzohet.
Vishkulli, i gjakosur, u dërgua fillimisht në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë e më pas u transportua me avion mjekësor në Itali. Atje mjekët po përpiqen t’ia shpëtojnë shikimin.
Ky ishte rasti më i rëndë i dokumentuar gjatë protestave që kanë përfshirë kryeqytetin shqiptar që nga mesi i tetorit, por nuk ishte i vetmi.
BIRN-i ka shqyrtuar pamje filmike, deklarata të të lënduarve, njoftime publike dhe raporte të organizatave të të drejtave të njeriut. Nga këto të dhëna rezultojnë të paktën 16 raste të protestuesve dhe qytetarëve të goditur nga predha kinetike të policisë në periudhën 17–24 tetor.
Plagët janë shënuar në kokë, fytyrë, qafë, kraharor, bark e shpinë; disa persona kanë marrë disa goditje. Gjashtë gazetarë kanë raportuar gjithashtu se u goditën me plumba gome teksa kryenin detyrën.
Plagosjet dhe pamjet ku efektivët shihen duke qëlluar horizontalisht ngrenë pikëpyetje serioze për zbatimin e standardeve ndërkombëtare që vendosin kufizime ndaj përdorimit të këtyre armëve në protesta.
Udhëzuesi i Kombeve të Bashkuara për armët jovdekjeprurëse, i publikuar më 2020, ndalon përdorimin e predhave kinetike për shpërndarjen pa dallim të turmave.
Ai paralajmëron edhe për rrezikun e shënjestrimit të kokës, fytyrës, qafës dhe pjesëve të tjera të ndjeshme të trupit, që mund të sjellë lëndime të rënda ose vdekje.
Ekspertë të sigurisë dhe të të drejtave të njeriut që folën për BIRN-in mendojnë se mënyra e përdorimit të armëve gjatë protestave studentore në Tiranë mund të jetë në kundërshtim me këto standarde.
“Plumbat e gomës dhe predhat e tjera kinetike nuk janë mjete të zakonshme për menaxhimin e një turme protestuesish. Standardet ndërkombëtare i konsiderojnë armë të jashtëzakonshme, përdorimi i të cilave lejohet vetëm kur është i domosdoshëm dhe proporcional”, tha juristja e të drejtave të njeriut Erida Skëndaj.
Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi, tha se pamjet nga ndërhyrjet policore shfaqin mungesë disipline dhe ngrenë shqetësime për përgatitjen e efektivëve.
“Ajo që më shqetëson fillimisht është sa lirshëm përdoren armët jovdekjeprurëse me të shtënë,” u shpreh ai. “Ato duhet të jenë masë e fundit dhe të përdoren vetëm kur ka kërcënim të menjëhershëm për dëmtim serioz apo humbje jete të efektivëve ose civilëve”, shtoi Qirjazi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk iu përgjigj kërkesës për koment mbi akuzat. Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo, nga ana tjetër, tha se kishte këmbëngulur vazhdimisht që ndërhyrjet e policisë të ishin proporcionale dhe të ligjshme.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton dhe verifikon secilin rast, si me nismën e vet, ashtu edhe pas 63 ankesave dhe denoncimeve të regjistruara,” deklaroi Demo. “Askush nuk qëndron mbi ligjin, as protestuesi, as personi me uniformë që ka për detyrë ta zbatojë atë”, shtoi ai.
Protestat e tetorit në Tiranë rrjedhin nga një lëvizje paqësore e nisur më 31 maj 2026, kundër projekteve të zhvillimit në zonën bregdetare Pishë Poro–Nartë.
Për më shumë se katër muaj, pjesëmarrësit e quajtur “Revulucioni i Flamingove” protestuan kundër dëmtimit të mjedisit, korrupsionit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Më 13 tetor, pasi iu bashkuan në numër të madh studentë dhe gjimnazistë, lëvizja u shndërrua në revoltë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Përplasjet u përshkallëzuan me hedhje gurësh dhe mjetesh piroteknike ndaj institucioneve publike. Policia përdori gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome, si dhe kreu arrestime masive.
Një student 22-vjeçar i Akademisë së Arteve, i cili kërkoi të mos identifikohej nga frika e pasojave, i tha BIRN-it se u godit me plumb gome më 24 tetor ndërsa po mundohej të qetësonte një përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Ai tregoi se protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Rreth orës 15:00, protestuesit u mblodhën sërish para Kryeministrisë.
Sipas studentit, makinat ujëhedhëse lëshuan ujë të ngjyrosur me të kuqe dhe me përbërës irritues, ç`ka i shtyu demonstruesit të tërhiqeshin në parkun “Rinia”.
Gjatë një përplasjeje pranë Kishës Katolike, disa protestues nisën të gjuanin me gurë drejt policisë. Studenti tha se ai dhe një grup tjetër që ndodheshin në rreshtin e parë po përpiqeshin të ndalonin përshkallëzimin, kur efektivët me armë shotgun nisën të qëllonin.
“E ndjeva më tepër si shpim në qafë, ndaj u tërhoqa prapa. Pashë që xhupi ishte çarë dhe gjaku po dilte”, kujtoi ai. Sipas tij, para se të goditej, ishte lagur dy herë me ujë me piper të hedhur me presion.
Fotot që studenti i paraqiti BIRN-it tregojnë veshjen e dëmtuar dhe plagën në pjesën e sipërme të kraharorit.
Ai tha se polici e qëlloi nga afërsisht 20 metra, duke e mbajtur armën në pozicion horizontal.
“Ai polici nuk ishte në gjunjë dhe nuk e kishte armën të drejtuar poshtë; e mbajti drejt dhe qëlloi”, tha studenti.
Ai shtoi se gjatë ndërhyrjes u goditën me ujë, gaz dhe plumba gome edhe njerëzit që po u jepnin ndihmën e parë të lënduarve.
Rrëfimi i studentit është përfshirë në kallëzimin penal që Qendra “Res Publica”, së bashku me avokatë, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile, ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
Kallëzimi kërkon verifikimin e rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Demo, si dhe hetimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Skënder Hita, Drejtorit të Policisë së Tiranës Oliger Torba, drejtuesve të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe njësive “Shqiponja”, si edhe strukturave operacionale e kriminale.
Irena Dule, avokate e Qendrës “Res Publica” dhe pjesë e grupit vullnetar që po dokumenton e kallëzon dhunën e paligjshme ndaj protestuesve, veçoi një regjistrim audio të 24 tetorit, të publikuar në media. Ajo e cilësoi atë si provë të rëndësishme për mënyrën se si u dha urdhri për përdorimin e plumbave të gomës.
“Një provë me rëndësi të veçantë për mënyrën e komandimit të operacionit është regjistrimi i datës 24 tetor 2026, rreth orës 17:00, ku dëgjohet, sipas transkriptimit të kërkuesve, urdhri: ‘Me plumba gome dhe me gaz! Mos i kurseni!’.
“Fjalët e fundit, të dëgjuara në kontekstin e përdorimit të armëve dhe të substancave të tjera të pacertifikuara ndaj protestuesve, ngjallin shqetësimin se efektivët mund të jenë nxitur të përdorin forcë pa dallim të mjaftueshëm dhe pa kufizimet e nevojshme”, tha Dule.
Kallëzuesit kërkojnë ekspertizë balistike dhe mjekoligjore të armëve dhe regjistrave të municionit. Ata i referohen vendimit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së, të 11 dhjetorit 2025, në çështjen Tsaava dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë, si dhe rastit të 10 shkurtit 2007 në Prishtinë, kur protestuesit Mon Balaj dhe Arben Xheladini u vranë nga plumbat e gomës të policisë së UNMIK-ut.
Avokatët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë dokumentuar rreth 22 raste të përdorimit të parregullt të predhave kinetike nga policia, si dhe rreth 180 episode të tjera shkeljesh. Këto përfshijnë 47 raste rrahjeje të personave të neutralizuar, mbipopullimin e qelive dhe dhunën ndaj të miturve, të konstatuara nga Avokati i Popullit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) kërkon gjithashtu hetim të plotë për dhunën policore gjatë protestave. Sipas organizatës, hetimi duhet të përfshijë jo vetëm efektivët që përdorën armët.
“Hetimi i personave të dëmtuar nuk duhet të ndalet te punonjësit që ushtruan drejtpërdrejt forcë. Duhet të vlerësohet edhe përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues për planifikimin, urdhërimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacioneve policore”, i tha KShH-ja BIRN-it.
Organizata paralajmëroi edhe se disa protestues të plagosur druheshin të paraqiteshin në spital, nga frika se mund të arrestoheshin. Kjo lë të hapur mundësinë që numri i të lënduarve të jetë më i madh.
“Këto dëshmi duhen shqyrtuar dhe verifikuar më tej, sepse frika nga pasojat ligjore nuk duhet t’i pengojë njerëzit të marrin ndihmë mjekësore”, shtoi KShH-ja.
Protestat e dy javëve të fundit në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kanë lënë dhjetëra të lënduar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm në përplasjet e 18 tetorit morën ndihmë në spitalet e Tiranës 36 persona: 21 policë dhe 15 civilë.
Rastet e dokumentuara nga BIRN-i tregojnë se plumbat e gomës kanë goditur edhe persona që nuk po përballeshin drejtpërdrejt me policinë.
Më 17 tetor, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Ministrisë së Arsimit u raportua përdorim i gjerë për herë të parë i predhave kinetike. Disa persona pësuan lëndime në pjesën e sipërme të trupit.
Një i ri u raportua me plagë në syrin e majtë nga një predhë e dyshuar gome, një vajzë u godit në ballë dhe një 17-vjeçar u lëndua në qafë.
Pedagogu Maksim Meço denoncoi një plagë në fytyrë pranë syrit. Pedagogu Lush Susaj dhe një pedagoge tjetër e Universitetit të Tiranës u raportuan të goditur në kraharor.
Në një rast tjetër, një i ri u filmua me shtatë plagë nga predhat. Më 20 tetor, një protestues i goditur në bark iu nënshtrua operacionit në Spitalin e Traumës.
Sipas avokates Dule, vendet ku janë shënuar plagët dhe përsëritja e tyre ngrenë dyshime nëse predhat janë përdorur për të ndalur kërcënime të veçanta apo për të shpërndarë turmat.
“Lëndimet e raportuara nga 13 deri më 24 tetor, mes tyre goditje në kokë, fytyrë, sy, qafë dhe kraharor, krijojnë dyshime serioze se mjetet nuk janë përdorur në mënyrë të individualizuar ndaj personave që përbënin kërcënim të menjëhershëm për jetën ose integritetin fizik të të tjerëve”, tha ajo.
Edhe gazetarët që raportonin nga protestat u gjendën të ekspozuar ndaj të shtënave.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, tha se të paktën gjashtë gazetarë dhe punonjës të medias raportuan goditje me predha gome gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 24 tetor.
Më 17 tetor u raportua se u goditën dy gazetarë të agjencisë Reuters. Të nesërmen, Elkier Bushkolaj i SYRI TV u plagos në këmbë.
Më 19 tetor, Gazment Seiti i KlikNews.al tha se ishte goditur teksa mbulonte protestën. Po atë ditë, Armand Bajrami i A2 CNN u qëllua gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Bajrami i tregoi BIRN-it se ishte pranë parkut “Rinia”, bashkë me operatorin Erald Kuçuku dhe ekipe të tjera mediatike, kur policia nisi të përdorte gaz lotsjellës e plumba gome, pas hedhjes së herëpashershme të gurëve nga ana e parkut.
“Po flisja drejtpërdrejt dhe përpiqesha të ndiqja lëvizjet e policisë e të protestuesve, kur ndjeva një goditje të fortë, si grusht, mes kraharorit dhe supit të djathtë”, tregoi ai.
Ai tha se kishte parë një efektiv me armë shotgun të vendosej në këmbë për të qëlluar dhe ta lëvizte tytën horizontalisht.
“Nuk mund ta përcaktoj nëse qëllimi me plumba gome ndaj meje ishte rastësor apo i qëllimshëm. Por efektivi qëlloi në këmbë, me armën horizontalisht drejt një zone të ndriçuar të bulevardit, ndërkohë që pranë meje kishte edhe përfaqësues të tjerë të medias”, tha Bajrami.
Më 24 tetor, Ardit Hoxha i Euronews Albania raportoi gjithashtu se ishte goditur me plumb gome.
Këtyre rasteve u shtohen dhjetëra raportime të tjera për pengim dhe dhunë ndaj gazetarëve gjatë protestave, përfshirë goditje fizike, marrje telefonash dhe fshirje të materialeve filmike.
Pas raportimeve të përsëritura për të lënduar, hetimi i parë i njoftuar publikisht nga Prokuroria e Tiranës për forcën e përdorur nga policia nisi vetëm pas plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit më 24 tetor.
Prokuroria bëri të ditur se kishte regjistruar kryesisht një procedim penal dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, AMP, kishte marrë rreth 20 kartela mjekësore të personave të tjerë të plagosur gjatë protestës.
Klevis Qose, drejtor i Përgjithshëm i AMP-së, i tha BIRN-it se agjencia kishte krijuar një grup pune për të verifikuar raportimet në media dhe në rrjetet sociale për periudhën 13–26 tetor.
Sipas Qoses, AMP kishte nisur hetime kryesisht, kishte dërguar materiale në prokurori dhe kishte hapur dy inspektime për procedurat e shoqërimit, ndalimit e arrestimit, si dhe për mjetet e përdorura nga policia.
Kontrollet përfshijnë predhat kinetike, gazin lotsjellës, ujin e përdorur nga automjetet ujëhedhëse dhe substanca të tjera kimike të mundshme.
AMP nuk dha hollësi nëse janë respektuar protokollet për përdorimin e armëve apo nëse mund të ketë përgjegjësi të drejtuesve, duke thënë se verifikimet janë ende në proces.
Një ditë pas plagosjes së Vishkullit, kryeministri Edi Rama tha se ishte përfshirë personalisht për të siguruar trajtimin e tij në Itali.
Në reagimin e tij publik, Rama e lidhi megjithatë incidentin me dhunën gjatë protestave dhe përgjegjësinë e opozitës politike.
“Është e qartë se pjesëmarrja në protesta të dhunshme sjell rrezik edhe për vetë ata që ushtrojnë dhunë dhe për ata që qëndrojnë pranë tyre”, deklaroi Rama.
“Më vjen shumë keq kur lëndohet fizikisht kushdo, edhe një protestues i dhunshëm. Por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm, nëse dhuna përcakton karakterin e protestës?!”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur kritikëve të qeverisë, kryeministri tha se ata ishin “errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit”.
Në takimin me drejtuesit e policisë më 19 tetor, pak ditë më parë, Rama kishte thënë se edhe personat pranë protestuesve të dhunshëm mund të bëheshin objekt i ndërhyrjes policore.
“Ti je po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri”, tha kryeminstri.
Në atë takim, ai njoftoi edhe një shpërblim prej rreth 270 mijë lekësh për secilin nga 2,821 efektivët e policisë të përfshirë në operacionet e protestave.
Standardet ndërkombëtare, megjithatë, kërkojnë që policia të bëjë dallim mes personave që përbëjnë kërcënim konkret dhe pjesëmarrësve të tjerë në tubim, edhe kur protesta përshkallëzohet në dhunë.
Predhat kinetike duhet të përdoren vetëm kur është e domosdoshme dhe proporcionale, ndaj një kërcënimi të identifikuar, ndërsa qitja duhet të kryhet në mënyrë që të pakësojë rrezikun e plagosjeve të rënda.
Juristja Skëndaj, tha se institucionet duket se i kanë trajtuar ndryshe dyshimet për dhunë policore nga rastet e protestuesve të akuzuar për shkelje ligjore.
“Raste të tilla duhet të hetohen shpejt dhe në mënyrë të pavarur nga prokuroria. Kur një protestues kapet në flagrancë, ai shoqërohet dhe arrestohet; kur shkelja pretendohet ndaj punonjësve të policisë, kemi parë të aplikohet vetëm pezullimi”, u shpreh Skëndaj.
“Kjo sjell trajtim të pabarabartë dhe joproporcional të protestuesit dhe punonjësit të policisë, edhe kur pamjet filmike dokumentojnë trajtim çnjerëzor të demonstruesve nga efektivët”, përfundoi ajo.







