Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave mbahet sot në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të mblidhen përsëri për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për gratë e tjera të vrara në Kosovë.
Të lidhura
None found
Në një njoftim për mediat, ata paralajmëruan se protestat do të vijojnë dhe se institucionet do të bllokohen derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
“Rikthehemi sot, në orën 16:00, në sheshin Zahir Pajaziti, për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet, si dhe drejtësi për çdo grua të vrarë”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.
Organizatorët kërkojnë që institucionet të mbajnë përgjegjësi dhe u kanë kërkuar qytetarëve t’u bashkohen protestuesve.
“Edhe nesër do të dalim në rrugë dhe do t’i bllokojmë institucionet. Ka ardhur çasti i fundit që shteti të japë llogari. Bashkohuni me ne, qoftë nga puna, shtëpia apo klasa. Protestat nuk do të ndalen pa u përmbushur kërkesat tona”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, organizatorët bëjnë thirrje për organizim dhe solidaritet në nivel kombëtar, me synim garantimin e sigurisë së grave dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat. “Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara”, thuhet në përfundim të njoftimit.
Protesta po vazhdon pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ngjarja ka shkaktuar reagime publike dhe thirrje për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse.
Para se të vritej, Zekaj i kishte paraqitur Prokurorisë Themelore në Pejë një parashtresë, ku kërkonte masa urgjente dhe shprehte shqetësim për sigurinë e saj.





