Kuvendi i Kosovës zhvillon sot një seancë plenare, gjatë së cilës pritet të shqyrtohen për herë të dytë ndryshimet në buxhetin e vitit 2026 dhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, mbledhja plenare do të nisë në orën 10:00.
Të lidhura
None found
Deputetët do të kenë në rend dite shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Po ashtu, pritet të hidhet në shqyrtim të dytë edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Gjatë seancës do të votohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për caktimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.
Punimet do të hapen me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara. Më pas, në program janë parashikuar deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Ndryshimet buxhetore, projektligji për Byronë e Konfiskimit dhe propozimi i Listës Serbe për përfaqësimin në komisione përbëjnë pikat kryesore të seancës së sotme.



