Pas humbjes së Vuçiqit, analistët: Rama hesht sepse iu prishën planet me Beogradin, Grenellin dhe Putinin

Aleksandar Vuçiq, kandidati kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS), pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, pasi projeksionet treguan se lista e mbështetur nga lëvizja studentore kishte siguruar shumicën absolute.

Të dhënat e organizatës CRTA, e cila monitoron proceset zgjedhore, treguan se lista studentore mori 51,5 për qind të votave, ndërsa SNS-ja e drejtuar nga Vuçiqi arriti në 40,4 për qind. Në parlamentin me 250 deputetë, lista opozitare pritet të ketë 135 deri në 140 mandate, çka do t’i mundësonte krijimin e qeverisë pa pasur nevojë për partitë e tjera.

Të lidhura

None found

Rezultati u prit me festime në Beograd. Kryesisht të rinjtë dolën në rrugë për të shprehur kënaqësinë e tyre pas fitores së listës studentore.

Votimet u panë si një referendum për qeverisjen e Vuçiqit, i cili ka pasur kontroll mbi politikën serbe që prej vitit 2012. Lista studentore u formua pas protestave masive të zhvilluara pas shembjes së strehës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024. Aksidenti shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe solli akuza për korrupsion e neglizhencë institucionale, duke nxitur mobilizim qytetar në të gjithë Serbinë.

Procesi zgjedhor nuk kaloi pa tensione. CRTA bëri të ditura dyshime për blerje votash, intimidim të zgjedhësve dhe fotografim të fletëvotimeve. Mediat raportuan gjithashtu për sulme ndaj vëzhguesve dhe gazetarëve.

Pas humbjes së Vuçiqit, vëmendja u përqendrua edhe te mungesa e një reagimi nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili me presidentin serb ka pasur marrëdhënie të afërta politike dhe bashkëpunim në çështjet rajonale.

Deri në publikimin e këtij raportimi, Rama nuk kishte bërë asnjë deklaratë publike për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi apo për fitoren e listës studentore. Për analistët e kontaktuar nga “Bota sot”, kjo heshtje lidhet me faktin se humbja e Vuçiqit ka prishur planet e Ramës me Beogradin, Grenellin dhe Putinin.

Image

“Largimi i Vuçiqit do të pasohet shpejt nga ai i Ramës”

Analisti Adriatik Riza Dosti e përshkruan Ramën si të tmerruar nga humbja e Vuçiqit. Ai vlerëson se rënia politike e kryeministrit shqiptar mund të vijë shumë shpejt pas asaj të liderit serb.

“Është e qartë se Rama është tronditur nga humbja e Vuçiqit, sepse ka humbur një partner të afërt ku mbështetej. Në këtë periudhë ai po përballet me protesta të fuqishme studentore dhe nuk po arrin të kontrollojë situatën. Pavarësisht masave represive që ndërmerr çdo ditë, e ka humbur kontrollin dhe e sheh të mundshme rrëzimin e tij. Me këto veprime vetëm sa po e shton urrejtjen ndaj vetes. Mendoj se pas largimit të Vuçiqit, shumë shpejt mund të vijë edhe largimi i Ramës, Netanyahut dhe Macronit, liderë të dhunshëm e autokratë që kanë qëndruar prej vitesh në pushtet”, deklaroi Dosti për “Bota sot”.

I pyetur nëse afërsia e gjatë politike mes Ramës dhe Vuçiqit tregon se kryeministri shqiptar i ka kushtuar më shumë rëndësi partneritetit me Beogradin sesa mbrojtjes së interesave të Kosovës, Dosti tha se lidhjet ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Beogradit janë të hershme.

“Këtu nuk bëhet fjalë për afërsi gjeografike, por për një mënyrë të përbashkët të të menduarit. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës kanë qenë të vjetra dhe gjithmonë janë ndërtuar në kurriz të Shqipërisë, ndërsa Kosovës i është ngulur thika pas shpine. Tirana zyrtare ka qenë historikisht e lidhur me Beogradin dhe jo me vendin e popullin e vet, e aq më pak me Prishtinën”, u shpreh analisti.

Dosti nuk beson se Shqipëria do të mbetet peng i politikave rajonale, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë Rama–Vuçiq përmes nismës së Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, pas humbjes së Vuçiqit, marrëdhëniet e Ramës me Serbinë nuk do të jenë të njëjta me ato të deritanishme.

“Shqipëria nuk mund të mbetet peng i ndonjë politike apo varësie ekonomike rajonale. Megjithatë, vështirësitë do të jenë të pranishme, pikërisht për shkak të bashkëpunimit të ngushtë antishqiptar Rama–Vuçiq, i cili e ka rënduar veçanërisht situatën e Kosovës. Nëse bie Rama, në tunelin Tiranë–Prishtinë do të ketë vetëm dritë. Pas rënies së Vuçiqit, nuk besoj se Rama do të vazhdojë me të njëjtat lidhje me Serbinë. Por nuk mendoj as se ai do ta korrigjojë politikën e tij në favor të Kosovës ose se do t’i balancojë marrëdhëniet me Albin Kurtin. Rama e ka antishqiptarinë në gjak dhe është pothuajse i deklaruar si gjakprishur e antikosovar”, përfundoi Dosti.

“Heshtja e Ramës është një sinjal”

Image

Analisti Milazim Maraj e sheh heshtjen e Edi Ramës si tregues se janë dëmtuar projekte të shumta që, sipas tij, ishin planifikuar së bashku me Vuçiqin, Grenellin dhe Putinin.

Maraj thotë se humbja e Vuçiqit do të ketë ndikim edhe në Shqipëri, por nuk pret që Serbia të adoptojë një politikë paqësore, pasi, sipas tij, vetëm aktorët e skenës kanë ndryshuar.

“Pas zgjedhjeve në Serbi, Aleksander Vuçiqi humbi, ndërsa i gjithë kompleti i tij nuk arriti të kalonte as pragun. Pothuajse të gjithë liderët e Gadishullit Ilirik reaguan, por kryeministri i Shqipërisë, Edvin Rama, heshti. Kjo heshtje tregon se janë prishur shumë projekte të planifikuara së bashku me Vuçiqin, Grenellin dhe Putinin. Rama nuk është në gjendje as të vajtojë për Vuçiqin dhe as të përkrahë humbjen e tij”, deklaroi Maraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”.

Sipas tij, humbja nuk është vetëm politike, pasi lidhet me projekte që janë hartuar në kundërshtim me interesin shqiptar dhe me zhvillimet gjeopolitike në botë.

“Humbja e Vuçiqit nuk është vetëm humbje e tij. Ajo do të reflektohet edhe në Shqipëri, sepse projektet e përbashkëta për partneritete, madje edhe ato në kundërshtim me interesin kombëtar, tashmë kanë dështuar. Kjo nuk nënkupton se Serbia do të ndjekë një politikë paqësore, por se aktorët e kësaj drame tragjike kanë ndryshuar”, tha Maraj.

Analisti e lidh humbjen e Vuçiqit me korrupsionin, krimin e organizuar, kriminalizimin e institucioneve shtetërore dhe mbështetjen e grupeve kriminale. Ai shtoi se SPAK-u në Shqipëri ka zbuluar shumë krime të ngjashme me ato të Serbisë.

“Partneriteti i Edvin Kristaq Ramës me Serbinë ka qenë shumë më i fuqishëm se ai me Kosovën. Kjo tregon se Kosova është çliruar nga Serbia, ndërsa Shqipëria ende ka rrjete ruso-serbe. Ndryshe nuk shpjegohet vazhdimësia e këtyre lidhjeve, që nga Esad Pashë Toptani, Enver Hoxha, ikja e organizuar nga Shqipëria, 2 korrik 1990, Mbledhja e Kretës, Millosheviq–Nano dhe tani Edi Rama–Vuçiq”, theksoi ai.

Maraj e sheh si të vështirë parashikimin nëse Shqipëria do të mbetet peng i marrëveshjeve të politikës rajonale. Megjithatë, ai paralajmëron se pushteti i ri serb mund të ndërmarrë hapa që nuk kanë rëndësi të madhe për Kosovën, por që mund të vlerësohen pozitivisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Një shtet i vogël shqiptar përballet gjithmonë me probleme të unitetit të brendshëm. Këto lidhen me ekonominë e dobët, prestigjin e ulët, interesat në marrëdhëniet me shtetet e tjera të rajonit e të botës dhe paaftësinë për t’iu përgjigjur trysnive të jashtme në fusha të ndryshme. Kjo është pasojë e copëtimit të territoreve të Shqipërisë, pasojë nga e cila vuajnë sot Shqipëria dhe shqiptarët”, u shpreh Maraj.

Ai shtoi se Gadishulli Ilirik vazhdon të përballet me çrregullime të njëpasnjëshme, të shkaktuara nga ndarja, sipas tij, jo parimore e territoreve shqiptare.

“Është ende herët të thuhet nëse Shqipëria do të jetë peng i marrëveshjeve të politikës rajonale, sepse kjo varet nga përfundimi i trazirave në Shqipëri. Duhet parë nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe si do të jetë më pas marrëdhënia e Shqipërisë me shtetet fqinje, veçanërisht me Serbinë. Duke u bazuar në përvojën e keqe që kemi që nga viti 1878, nuk mund të shpresojmë shumë. Mund të përfundojnë trazirat, por mund të përballemi edhe me një situatë të ngjashme me vitet 1996/7, gjë që nuk i konvenon askujt”, deklaroi ai.

Sipas Marajt, qeveria e re në Serbi mund të ndërmarrë disa veprime që do të konsiderohen nga BE-ja dhe SHBA-ja si lëvizje pozitive politike, ndërsa Kosovës mund t’i bëhet presion për pranimin e Asociacionit serb.

“Kjo do të nënkuptonte krijimin e një shteti serb brenda shtetit të Kosovës. Në këtë situatë trysni do të përjetonin edhe shqiptarët në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës”, nënvizoi Maraj.

I pyetur nëse zhvillimet e reja mund ta shtyjnë Edi Ramën të rishikojë qëndrimin e tij ndaj Kosovës apo nëse ai do t’i japë sërish përparësi marrëdhënieve me Serbinë, Maraj tha se nuk pret një interesim kombëtar nga Rama për sa kohë ai qëndron në pushtet.

Analisti theksoi se nuk ka asnjë shenjë që Rama të jetë penduar për raportet e tij me Serbinë.

“Për këtë situatë do të duhej një analizë e thellë shkencore e udhëheqjes së Qeverisë Rama dhe më pas hartimi i një plani të ri qeverisës, i cili do të ishte në favor të nivelit kombëtar të shqiptarëve në Gadishullin e tyre. Por ende nuk shihen qartë faktorët që mund të sillnin një ndryshim të tillë dhe nuk ka në skenë figura që do ta realizonin atë”, tha Maraj.

Ai përmendi protestat e studentëve dhe profesorëve, por vlerësoi se ende nuk ka një figurë që të dalë në krye të tyre me një projekt të qartë, përveç kërkesës që Edi Rama të japë dorëheqjen.

“Nuk pritet që Edi Rama, për sa kohë është në pushtet, t’i përkushtohet interesit kombëtar. Nuk ka asnjë shenjë se është penduar për mbështetjen e tij jo parimore ndaj Serbisë. Përkundrazi, ai i ka bërë presion Qeverisë së Kosovës të pranojë kërkesat serbe për ndryshimin e kufijve, për ‘Ballkanin e Hapur’ dhe çështje të tjera. Ka më shumë gjasa që të ndjekë rrugën e vjetër dhe të mbështesë Serbinë, sesa të korrigjojë gabimet e bëra”, përfundoi analisti për “Bota sot”.

Disa liderë evropianë dhe rajonalë e kanë përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve në Serbi. Edhe Tirana zyrtare reagoi përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila uroi listën studentore dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin. Ministria nënvizoi gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.


Shtuar më 29.10.2026 08:28

Quantcast