Itali, banda që organizonte ekspedita ndëshkuese nga burgu, nën hetim 9 persona, mes tyre shqiptarë

Nëntë persona, mes tyre disa shtetas shqiptarë, janë vënë nën hetim në Itali në kuadër të një operacioni të koordinuar nga Drejtoria Anti-Mafia (DDA), që ka zbuluar veprimtarinë e një grupi të dyshuar kriminal, i cili dyshohet se organizonte trafik droge dhe ekspedita ndëshkuese edhe nga brenda burgjeve.
Sipas hetimeve të Skuadrës Fluturuese të Shtabit të Policisë së Bolonjës, grupi dyshohet se përdorte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh dhe telefona celularë të futur në mënyrë të paligjshme në burgje për të koordinuar aktivitetet kriminale, raporton agjencia italiane e lajmeve, Ansa.
Me urdhër të gjyqtarit hetues, gjashtë persona janë vendosur nën masa sigurie, mes tyre katër shqiptarë dhe dy italianë. Sipas të dhënave të bëra publike, bëhet fjalë për një shqiptar 39-vjeçar, tashmë të ndaluar, një 48-vjeçar që ndodhej ende në liri dhe dy të rinj rreth të 20-ave, të vendosur në arrest shtëpiak. Në mesin e italianëve të përfshirë janë një 33-vjeçar, gjithashtu në arrest shtëpiak, dhe një 22-vjeçar.
Të dyshuarit po hetohen për vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, zhvatjen, armëmbajtjen pa leje dhe përdorimin e paligjshëm të telefonave celularë brenda institucioneve penitenciare.
Dy sulme me armë, të dyshuara si ekspedita ndëshkuese
Në qendër të hetimit janë dy episode të rënda të përdorimit të armëve të zjarrit, të cilat hetuesit i kanë cilësuar si të dyshuara për ekspedita ndëshkuese të organizuara në kuadër të konflikteve për borxhe nga droga.
Rasti më i fundit lidhet me një ngjarje të ndodhur më 8 janar 2026, pranë banesës së familjes së një të burgosuri. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, ky i fundit dyshohet se i detyrohej grupit një shumë parash për një kilogram kokainë.
I burgosuri arriti të paralajmëronte bashkëshorten nga brenda qelisë, pasi ajo po kthehej në shtëpi me një fëmijë të vogël. Ai i tha se pranë hyrjes së banesës ndodheshin dy persona që mund ta sulmonin. Gruaja ndryshoi drejtim dhe njoftoi karabinierët në një stacion në provincën e Ravenës.
Sipas hetimeve, persona të dyshuar si pjesë e grupit qëlluan me armë zjarri drejt automjetit të nënës së të burgosurit, në afërsi të banesës familjare, në atë që dyshohet të ketë qenë një paralajmërim për shlyerjen e borxhit, transmeton Telegrafi.
Gjurmimi i një sulmi tjetër në Bolonjë
Hetimet çuan policinë edhe te një tjetër episod, i cili nuk ishte raportuar më parë. Ngjarja kishte ndodhur më 28 shkurt 2025, në një parking në qytetin e Bolonjës.
Sipas rindërtimit hetimor, dy vëllezër dyshohet se qëlluan me armë zjarri drejt një shtetasi italian, me urdhër të një personi të tretë që ndodhej në burg. Viktima pësoi lëndime të lehta.
Një video e incidentit kishte qarkulluar më pas dhe ishte parë edhe brenda burgut, duke ndihmuar në zbardhjen e lidhjeve mes episodeve të dhunshme dhe aktivitetit të dyshuar kriminal të grupit.
Të dyshuarit nën hetim
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë rolin e secilit prej nëntë personave të përfshirë në çështje, si dhe mënyrën se si grupi koordinonte veprimtarinë e tij nga brenda dhe jashtë burgjeve.
Në mesin e personave nën hetim përmendet edhe një burrë i dënuar më parë për vrasje, krim i kryer në provincën e Cuneos në vitin 2017.
Çështja hedh dritë mbi dyshimet për funksionimin e rrjeteve kriminale që vazhdojnë të koordinojnë trafikimin e drogës dhe veprime të dhunshme edhe nga brenda institucioneve penitenciare italiane./Telegrafi/






































