“Siguroi kushtet për kryerjen e një vrasjeje”, ekstradohet nga Gjermania 29-vjeçari nga Mati
Një 29-vjeçar nga Mati është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetasin A. Gj., ndaj të cilit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar në maj të vitit 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ekstradimi u realizua nga Frankfurti, Gjermani, në kuadër të operacionit “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Interpol Wiesbaden.
29-vjeçari akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në formën e bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.




