Mbappe përballet me reagime politike pas deklaratës për Mao Ce Dunin, ndërsa SHBA-ja e mbështet

Kylian Mbappe është gjendur në qendër të një debati politik që ka kapërcyer kufijtë e futbollit, pasi komentet e tij për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun shkaktuan zemërim në Kinë. Në krah të kapitenit të Francës është pozicionuar në mënyrë të papritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

John Moolenaar, i cili drejton komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për çështjet e Kinës, deklaroi se sulmuesi i Real Madridit nuk ka pse të kërkojë falje.

Të lidhura

None found

Ndërhyrja e Moolenaar, sipas mediumit francez Foot Mercato, e ka shtrirë përplasjen përtej rastit të Mbappes, duke e vendosur atë në kontekstin e marrëdhënieve të tensionuara mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Debati nisi pas publikimit të një videoje kontroverse, ku Mbappe e përshkroi Mao Ce Dunin si diktator. Pas kësaj, disa kompani kineze ndërprenë bashkëpunimin me futbollistin.

Federata Kineze e Futbollit paraqiti një protestë, ndërsa një grup mediatik nga Kina i kërkoi Real Madridit të kërkonte falje publikisht dhe e konsideroi klubin përgjegjës për fjalët e lojtarit të tij.

Për të ulur tensionet e krijuara gjatë dy ditëve të fundit, falje ndaj Kinës kanë kërkuar Real Madridi, presidenti i La Ligës Javier Tebas dhe vetë Mbappe.

Qëndrim krejtësisht të kundërt ka mbajtur Moolenaar, i cili kritikoi atë që e cilësoi si kapitullim përpara regjimit kinez.

Politikani republikan nga Miçigani e shprehu publikisht mbështetjen për futbollistin francez në një deklaratë të publikuar nga Komiteti i Përzgjedhur për Kinën. Sipas tij, Mbappe nuk duhet të kërkojë falje për përshkrimin e Mao Ce Dunit si diktator.

“Ylli botëror i futbollit, Kylian Mbappe, nuk duhet të kërkojë falje pse e quajti Mao Ce Dunin diktator. Mao ishte diktator dhe u shkaktoi popullit kinez dëme shumë më të mëdha sesa mund të shkaktojë çfarëdo deklarate e një futbollisti”, tha Moolenaar.

Më tej, ai theksoi se regjimi i Maos dhe politikat e tij katastrofike çuan në vdekjen e dhjetëra miliona kinezëve gjatë Revolucionit Kulturor, Urisë së Madhe dhe mizorive të tjera.

“Turpi i vërtetë në këtë histori janë kompanitë që nxitojnë të kërkojnë falje vetëm që të mund të vazhdojnë të bëjnë biznes në Kinë”, përfundoi ai.


Shtuar më 29.10.2026 08:42

Quantcast