E enjte, 29 Tetor 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

PD bojkoton Konferencën e Kryetarëve: Nuk na është vënë në dispozicion projektbuxheti 2027

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e thirrur për sot në orën 08:30, ku ministri i Financave pritet të prezantojë projektbuxhetin e shtetit për vitin 2027 dhe paketën fiskale.

Në një njoftim për shtyp, PD argumenton se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni për projektbuxhetin, përfshirë projektligjet, relacionet shpjeguese dhe dokumentet financiare shoqëruese.

Reklamë

Sipas opozitës, mbledhja është njoftuar vetëm pasditen e një dite më parë, në kundërshtim me nenin 12, pika 3, të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon që mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, të zhvillohen jo më herët se 48 orë nga momenti i njoftimit.

PD thekson se mungesa e dokumentacionit dhe e kohës së nevojshme për shqyrtim e bën të pamundur një diskutim serioz mbi buxhetin, duke e cilësuar mënyrën e organizimit të mbledhjes si një përpjekje për të krijuar një aktivitet propagandistik të qeverisë.

Reklamë

“Opozita nuk po refuzon diskutimin e buxhetit. Opozita po refuzon një procedurë që e zbraz diskutimin parlamentar nga përmbajtja”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike kërkon që projektbuxheti i vitit 2027 dhe i gjithë dokumentacioni shoqërues t’u vihen menjëherë në dispozicion deputetëve, si dhe që Konferenca e Kryetarëve të thirret në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Në përfundim, PD nënvizon se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme, duke argumentuar se qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por jo të diktojë mënyrën se si Parlamenti duhet ta kontrollojë atë.

Njoftim për Shtyp i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Sot, në orën 08:30, është thirrur mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, ku ministri i Financave, është parashikuar të prezantojë projektligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027 dhe paketën fiskale.

Duam të sqaroj publikisht arsyet përse grupi parlamentar i PD ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë mbledhje.

Në momentin e njoftimit të mbledhjes e deri në mesnatë, deputetëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin që pretendohet të prezantohet.

As projektligjet, as relacionet shpjeguese, as dokumentacioni financiar që duhet të shoqërojë një nismë të kësaj rëndësie.

Pra, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë thirren të dëgjojnë ministrin e Financave të flasë për një dokument që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë, ta studiojnë apo ta analizojnë.

Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë Parlamenti i një vendi demokratik.

Kuvendi nuk është sallë konferencash e qeverisë. Deputetët nuk janë publik i ftuar në prezantimet e ministrave.

Detyra jonë kushtetuese është të shqyrtojmë, të kontrollojmë, të kërkojmë llogari dhe të vendosim mbi përdorimin e parave të qytetarëve shqiptarë.

Për më tepër, mbledhja është njoftuar vetëm pasditen e djeshme, për t’u zhvilluar sot në mëngjes.

Neni 12, pika 3, i Rregullores së Kuvendit përcakton shprehimisht se mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga momenti i njoftimit.

Ky rregull nuk mund të shpërfillet sipas dëshirës së Kryetarit të Kuvendit.

Aq më pak kur bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm financiar të vitit.

Buxheti i shtetit nuk është një dokument formal. Ai përcakton se sa para do të mblidhen nga qytetarët dhe bizneset, si do të shpenzohen ato, cilat sektorë do të financohen dhe cilat do të jenë prioritetet reale të qeverisë.

Prandaj, shqyrtimi i tij kërkon transparencë, dokumentacion të plotë, kohë të mjaftueshme dhe debat parlamentar.

Nuk mund të ketë debat pa dokumente. Nuk mund të ketë kontroll parlamentar pa informacion. Dhe nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga deputetët kur atyre u mohohet mundësia për të ushtruar detyrën.

Në vlerësimin tonë, mënyra se si është organizuar kjo mbledhje ngre dyshimin e arsyeshëm se qëllimi nuk është një diskutim serioz për financat publike, por krijimi i një aktiviteti propagandistik të qeverisë.

Kjo bëhet edhe më shqetësuese në kushtet e krizës së rëndë politike që po përjeton vendi.

Në vend që të garantojë funksionimin normal të institucioneve, respektimin e opozitës dhe kontrollin parlamentar, shumica po kërkon që Kuvendi të përshtatet me axhendën politike dhe mediatike të qeverisë.

Ne nuk pranojmë që institucioni i Parlamentit të përdoret për të prodhuar një fasadë normaliteti, ndërkohë që rregullat e funksionimit të tij nuk respektohen.

Duam të jemi shumë të qartë.

Opozita nuk po refuzon diskutimin e buxhetit. Opozita po refuzon një procedurë që e zbraz diskutimin parlamentar nga përmbajtja.

Ne kërkojmë që projektligji për Buxhetin e Shtetit për vitin 2027, së bashku me të gjithë dokumentacionin shoqërues, t’u vihet menjëherë në dispozicion deputetëve.

Kërkojmë që Konferenca e Kryetarëve të thirret duke respektuar Rregulloren dhe të sigurohet një kalendar real shqyrtimi, me kohë të mjaftueshme për analizë, pyetje, diskutime dhe amendamente.

Kërkojmë që procesi të jetë transparent për publikun, sepse buxheti nuk i përket as qeverisë dhe as shumicës parlamentare.

Buxheti i përket qytetarëve shqiptarë.

Dhe së fundi, dua t’i drejtohem Kryetarit të Kuvendit.

Detyra e tij nuk është të organizojë axhendën e ministrave, por të garantojë të drejtat e të gjithë deputetëve dhe zbatimin e Rregullores së Kuvendit.

Respektimi i ligjit dhe i procedurave parlamentare nuk është një favor që shumica i bën opozitës. Është detyrimi më elementar i çdo institucioni.

Për këto arsye, opozita nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.

Sepse qeveria ka të drejtë të propozojë buxhetin, por nuk ka të drejtë t’i diktojë Parlamentit si duhet ta kontrollojë atë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.