Gjoba 5 mln lekë ndaj protestuesve, “The Guardian”: Qeveria shqiptare përpiqet të shtypë tubimet që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Masat e marra nga qeveria shqiptare për të gjobituri protestuesit që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja.

The Guardian, shkruan se gjoba prej 6 mijë dollarësh sa gjashtëfishi i pagës mesatare mujore dhe do të zbatohet për njerëzit e pranishëm në protesta të dhunshme, edhe nëse ata nuk kryejnë personalisht akte të dhunshme.

Të lidhura

None found

“Shqipëria ka vendosur gjoba prej më shumë se 6,000 dollarësh për demonstruesit që marrin pjesë në një protestë që shndërrohet në të dhunshme, edhe nëse ata personalisht nuk kryejnë akte të dhunshme, ndërsa qeveria përpiqet të shtypë tubimet që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit”, shkruan gazeta britanike.

Më tej The Guardian shkruan se Tirana është përfshirë prej muajsh në protesta antiqeveritare, të cilat ditët e fundit janë degraduar në përleshje të ashpra midis forcave të sigurisë dhe protestuesve.

“Lëvizja pa udhëheqës filloi në mënyrë paqësore në maj, me tubime kundër një projekti hoteli luksoz në një rezervat natyror.

Në mesin e tetorit, ajo u shndërrua në një valë protestash të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit të perceptuar, mangësive në sistemin shëndetësor dhe mungesës së perspektivave për të rinjtë në vendin me 2.3 milionë banorë.

Të mërkurën, qeveria e kryeministrit Edi Rama miratoi masa legjislative që vendosin gjoba deri në 500,000 lekë (5,500 euro, 6,130 dollarë amerikanë) për “këdo që zgjedh të qëndrojë në një turmë” që kryen akte dhune ose plaçkitjeje në një hapësirë ​​publike, ose “fsheh identitetin e tij”

Policisë iu dhanë gjithashtu kompetenca për të kufizuar përkohësisht tubimet në zona të caktuara, duke përfshirë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe qeveritare nëse kishte rrezik dhune.

Masat parashikojnë gjithashtu sanksione kundër nxitjes së dhunës në internet dhe kompensim për bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave.

Masat hyjnë në fuqi menjëherë, por duhet të miratohen nga parlamenti brenda 45 ditëve.

Rama tha të dielën se ishte frymëzuar nga një projektligj francez , i miratuar nga dhoma e lartë e parlamentit të mërkurën, që do t’i bënte protestuesit financiarisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë demonstratave në rrugë.

Kryeministri ka fajësuar vazhdimisht “aktorët e huaj” për dhunën dhe ka akuzuar si Rusinë ashtu edhe Iranin për përhapjen e dezinformatave në internet. Rama gjithashtu ka bërë thirrje për “dialog”, mbyll shkrimin e saj gazeta britanike.


Shtuar më 29.10.2026 08:55

Quantcast