Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, pas tensioneve dhe përplasjeve që shoqëruan punimet parlamentare javën e kaluar. Deputetët do të shqyrtojnë një rend dite me 18 pika, ku përfshihen interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe disa projektligje që lidhen me ekonominë, sistemin bankar, biznesin dhe administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.
Seanca zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas incidenteve të 22 tetorit, kur deputetët e mazhorancës dhe opozitës u përfshinë në debate të ashpra dhe përplasje fizike, duke çuar në ndërprerjen e përkohshme të punimeve.
Gjatë seancës së kaluar, deputetët demokratë bllokuan foltoren dhe kundërshtuan kalimin në votim të projektligjeve pa diskutim. Në një nga momentet më të tensionuara, deputeti Flamur Noka i hoqi mikrofonin kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas tentoi t’u merrte kartat e votimit deputetëve të mazhorancës.
Situata degjeneroi në përplasje mes deputetëve, duke sjellë ndërhyrjen e Gardës së Republikës. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, socialistët vijuan votimin e projektligjeve dhe seanca u mbyll mes tensioneve.
Përplasjet në Kuvend ndodhën në një kohë kur jashtë godinës protestonin studentë dhe qytetarë, të cilët kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Deputetët e opozitës kërkuan që në Parlament të diskutohej edhe për ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve dhe ndalimin e studentëve.
Pas incidenteve, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi masa disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës. Për gjashtë prej tyre, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi, u kërkua përjashtim 60-ditor nga punimet parlamentare, ndërsa për deputetët e tjerë u propozuan masa më të shkurtra. Kërkesa iu drejtua Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Çfarë parashikohet në rendin e ditës?
Një nga pikat e para të seancës është interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar votash. Në rendin e ditës është përfshirë edhe akti normativ i qeverisë, i datës 25 shtator 2026, që parashikon shtesa në ligjin për akcizat.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar me Gjermaninë për vijimin e programit të rinovimit të konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri, në përputhje me parimet e eficiencës energjetike.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe projektligjet për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Një pjesë e konsiderueshme e punimeve do t’u kushtohet ndryshimeve në legjislacionin për biznesin, përfshirë ligjet për Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e biznesit, tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Do të shqyrtohet edhe projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Në seancë pritet të diskutohen ndryshimet në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social, si dhe ndryshimet në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Një tjetër nismë ligjore që do të shqyrtohet lidhet me ndryshimet në ligjin për peshkimin.
Në pjesën e fundit të rendit të ditës janë parashikuar tre projektvendime për organizimin dhe funksionimin e institucioneve. Dy prej tyre lidhen me strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë punonjësit që do të angazhohen në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Projektvendimi tjetër parashikon ndryshime në strukturën organizative dhe organikën e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.












