Nga 1 janari, të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të ndjeshme të pagave, që nisin nga 10 deri në 20 mijë lekë të reja shtesë.

Ministri i Financave, Malaj tha se nga 36.7 mld lekë që është buxheti për rendin dhe sigurinë, 3.3 mld lekë janë parashikuar vetëm për rritjen e rrogave të efektivëve.

“Përfitojnë 8,500 punonjës, ku në kategorinë inspektor rritet paga bazë për gradë me 20,000 lekë ( në 93,000 nga 73,000 sot). Shtesa është mbi pagën bazë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page 10,000 lekë deri në 15,000 lekë për gradë. Krahas forcimit të kapaciteteve institucionale, rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, tha Malaj.

Ky vendim i qeverisë vjen në një periudhë të tensionuar të protestave të zhvilluara ditët e fundit në vend, ku uniforma blu janë përballuar me akte dhune dhe sulme.

Në prezantimin e projektbuxhetit këtë të enjte në Konferencën e Kryetarëve ministri Malaj njoftoi edhe rritjen e financimit të bursave për studentët.

“1.1 mld lekë për rritjen e bursave të studentëve nga familjet në nevojë”, u shpreh ministri.

Bursat për studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike do të rriten me 15 mijë lekë të reja, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj. Lajmin e dha një ditë më parë edhe kryeministri Rama, i cili njoftoi se kjo mbështetje do të shtrihet edhe për studentët e masterit. Ai prezantoi gjithashtu lehtësi për strehimin e studentëve dhe çifteve të reja, si dhe një skemë që ofron pagë për praktikat e punës.

Në ligjin e ri për strehimin, që ndodhet në Parlament, janë parashikuar qira të bashkëfinancuara nga qeveria dhe kredi me interes 0% ose 3%,. Ndërsa për praktikat e punës, do të vendoset një kusht për bizneset që të punësojnë studentë me gjysmë page minimale, sipas një formule të caktuar.