Buxheti i Shtetit 2027/ Nga 1 janari, rritje pagash për të gjithë efektivët e Policisë, sa do të përfitojnë sipas gradave
Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje pagash nga 1 janari, ku efektivët e rolit bazë do të marrin 20 mijë lekë të reja më shumë, ndërsa punonjësit me grada më të larta do të përfitojnë një rritje prej 15 mijë lekësh të reja.
Sipas burimeve, kjo masë përfshin të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit, deri te grada e drejtuesit madhor, dhe konsiderohet si rritja më e madhe e pagave e realizuar ndonjëherë për uniformat blu.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë cilësuar më herët këtë masë si një rritje të konsiderueshme për punonjësit e policisë.
Vendimi vjen në një klimë të tensionuar në vend, pas protestave të zhvilluara ditët e fundit, disa prej të cilave janë shoqëruar me akte dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Pak ditë më parë, qeveria njoftoi edhe një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të tyre gjatë situatave të vështira të krijuara nga protestat.
/vizionplus.tv




