Buxheti 2027, mbi 10 miliardë euro, dyfishohet bonusi mujor për pensionistët. Rriten pagat për policët, shtohen investimet
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin e vitit 2027, i cili parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, me fokus të veçantë te pensionet, mbrojtja sociale, pagat dhe financimi i shërbimeve publike.
Për pensionistët, qeveria parashikon dy masa kryesore. E para është indeksimi i pensioneve në prill 2027 dhe jo më në tetor. Së dyti, bonusi mujor për pensionistët do të dyfishohet, duke filluar nga 1 janari 2027. (TAB)
“Parashikohet: Indeksimi i pensioneve në prill 2027, me një fond të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për vitin. Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë”, tha Malaj.
Një tjetër masë e rëndësishme lidhet me pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Projektbuxheti parashikon 3.3 miliardë lekë shtesë për pagat e rreth 8,500 punonjësve. Rritja më e madhe parashikohet për kategorinë e inspektorëve.
“Siguria dhe rendi mbeten pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këtë qëllim, buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këta sektorë, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit. Financimi parashikohet si më poshtë: 36.7 miliardë lekë për rendin. 3,3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Përfitojnë 8,500 punonjës, ku në kategorinë inspektor rritet paga bazë për gradë me 20,000 lekë ( në 93,000 nga 73,000 sot). Shtesa është mbi pagën bazë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page 10,000 lekë deri në 15,000 lekë për gradë”, tha Malaj.
Në fushën e mbrojtjes sociale, qeveria parashikon edhe dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Një tjetër ndryshim lidhet me mbështetjen për fëmijët.
“Ndër masat kryesore mund të përmendim: Dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Vijimin i bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Rreth 1,3 miliardë lekë në vit për shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm. Do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç”, tha ministri Malaj.
Projektbuxheti dhe paketa fiskale do të vijojnë tashmë shqyrtimin parlamentar, ku pritet të diskutohen më në detaje masat dhe financimet e parashikuara për vitin e ardhshëm.




