Bllokim politik në Izrael pas zgjedhjeve, tre skenarët për qeverinë e ardhshme! Si mund të qëndrojë ose të largohet Netanyahu nga pushteti

29 Tetor 2026 | 09:27

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Izrael tregojnë se asnjë prej blloqeve kryesore politike nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, duke e lënë të pasigurt të ardhmen politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas numërimit të deritanishëm, partia Likud e Netanyahut pritet të sigurojë rreth 28 mandate, ndërsa koalicioni i tij i partive të djathta dhe ultraortodokse nuk arrin pragun prej 61 vendesh në parlamentin me 120 deputetë.

Nga ana tjetër, partia Yashar, e drejtuar nga ish-shefi i ushtrisë izraelite Gadi Eisenkot, rezulton forca e dytë më e madhe me rreth 22 mandate. Blloku opozitar i njohur si “blloku i ndryshimit” pritet të sigurojë rreth 47 vende.

Ndërkohë, partitë arabe, të cilat kanë siguruar të paktën 17 mandate sipas projeksioneve paraprake, mund të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e qeverisë së ardhshme.

Procesi i konsultimeve mes partive dhe presidentit Isaac Herzog për propozimin e kandidatit për kryeministër pritet të nisë javën e ardhshme. Analistët politikë kanë identifikuar tre skenarë kryesorë për zgjidhjen e ngërçit institucional.

Skenari i parë: Bashkëpunimi i opozitës me partitë arabe

Një nga mundësitë është krijimi i një qeverie të udhëhequr nga Gadi Eisenkot, me mbështetjen e partive arabe.

Megjithëse shumica e partive opozitare kanë përjashtuar gjatë fushatës bashkëpunimin me këto forca politike, rezultatet zgjedhore mund t’i detyrojnë të rishikojnë qëndrimet.

Një alternativë do të ishte formimi i një qeverie minoritare nga partitë opozitare, e cila do të mbështetej nga deputetët arabë në votimet vendimtare parlamentare, pa i përfshirë ata drejtpërdrejt në kabinet.

Sipas Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, një bashkëpunim i tillë është matematikisht i mundshëm, por mbetet politikisht i vështirë për shkak të qëndrimeve të deklaruara gjatë fushatës dhe ndasive mes partive.

Skenari i dytë: Formimi i një qeverie uniteti kombëtar

Një tjetër mundësi është krijimi i një koalicioni të gjerë mes partive të qendrës dhe të djathtës, përfshirë forca që aktualisht janë kundërshtare politike.

Sipas analistëve, Netanyahu mund të kërkojë të ruajë pushtetin duke tërhequr në koalicion një ose disa parti të opozitës.

Megjithatë, një marrëveshje e tillë mund të kërkojë ndryshime në përbërjen e koalicionit aktual, përfshirë largimin e disa partive të ekstremit të djathtë ose ultraortodokse.

Çështjet që lidhen me shërbimin ushtarak të komunitetit ultraortodoks dhe politikat e sigurisë mbeten ndër pengesat kryesore për një marrëveshje të mundshme.

Skenari i tretë: Zgjedhje të reja parlamentare

Nëse negociatat mes partive dështojnë, Izraeli mund të përballet me një tjetër raund zgjedhjesh parlamentare.

Megjithëse Eisenkot ka deklaruar se organizimi i zgjedhjeve të reja do të ishte një gabim, mungesa e shumicës dhe dallimet e thella politike mund ta bëjnë të vështirë krijimin e një qeverie të qëndrueshme.

Në këtë rast, Netanyahu mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën si kryeministër në largim deri në formimin e një qeverie të re.

Një situatë e ngjashme u regjistrua gjatë periudhës 2019–2022, kur Izraeli zhvilloi disa procese zgjedhore për shkak të pamundësisë së partive për të siguruar një shumicë të qëndrueshme parlamentare.

Analistët theksojnë se negociatat mund të zgjasin javë apo edhe muaj, ndërsa përfundimi i numërimit të votave dhe qëndrimet e partive politike do të jenë vendimtare për të ardhmen e qeverisjes në Izrael.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Hetim për terrorizëm ndërkombëtar, e mitura shqiptare në Itali publikonte materiale të ISIS-it në TikTok

Një e mitur me origjinë shqiptare, banuese në zonën e Raguzës, është vendosur në një qendër komunitare me urdhër të Gjykatës për të Mitur të...
09:20 | 29/10/2026

Trump prezanton sërish planet për ta riemërtuar Ngushticën e Hormuzit në “Ngushtica Trump”: Duket sikur po bëj shaka

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë përsëri se do të donte ta riemëronte Ngushticën e Hormuzit në Ngushticën Trump. “Mendoj se do ta riemërtojmë...
09:01 | 29/10/2026

Zjarr në një anije në Ngushticën e Hormuzit, pranë brigjeve të Omanit

Një zjarr shpërtheu në një anije pranë brigjeve të Omanit në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO. “Kapiteni i një anijeje...
08:51 | 29/10/2026