Udhëtimi i ëndrrave kthehet në tragjedi, lumi i merr jetën influenceres 24-vjeçare dhe dy shoqeve të saj
Një udhëtim që e kishin përshkruar si “pushimet e ëndrrave” përfundoi në tragjedi për tre të reja, të cilat humbën jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin u mor nga rrjedha e fuqishme e një lumi në Nikaragua. Mes viktimave ishte edhe 24-vjeçarja franceze Emma Marie Laurent, e njohur si vlogere e udhëtimeve.
Sipas mediave vendase, aksidenti ndodhi në orët e para të 9 tetorit, teksa tre mikeshat po eksploronin veriun e vendit. Automjeti tip Toyota Hilux, me të cilin po udhëtonin, hasi vështirësi gjatë përpjekjes për të kaluar lumin Nahualapa, i cili ishte fryrë nga prurjet e shumta.

Përveç 24-vjeçares franceze, jetën humbën edhe 20-vjeçarja zvicerane Noé Lüscher dhe 19-vjeçarja Karen Montano, e cila punonte në një hotel në Nikaragua. Drejtuesi i automjetit, Martín Gerardo García Girón, ishte i vetmi që i mbijetoi ngjarjes.
Bashkëpresidentja e Nikaraguas, Rosario Murillo, paralajmëroi për rrezikun e kalimit të lumenjve gjatë kushteve të pafavorshme, duke theksuar se rrjedhat e ujit mund të duken të qeta, por të bëhen papritur të rrezikshme.
Emma Marie Laurent kishte rreth 43 mijë ndjekës në rrjetet sociale, ku dokumentonte aventurat e saj dhe jetën në një furgon, ndërsa eksploronte vende në Evropë, Afrikë dhe Karaibe. Udhëtimet, që për të ishin një mënyrë jetese, u ndërprenë tragjikisht gjatë eksplorimit të Nikaraguas.





