Maqedonia ka një nivel të ulët fertiliteti, pothuajse të njëjtë me mesataren e Bashkimit Evropian, por dallimet mes rajoneve janë të theksuara. Numrin më të lartë të fëmijëve për grua e ka rajoni i Shkupit, ndërsa nivelin më të ulët e shënon rajoni Lindor.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në Maqedoni regjistrohen 1.35 lindje të gjalla për grua. Ndërkohë, në vitin 2024, mesatarja e BE-së zbriti në nivelin rekord prej 1.34 fëmijësh për grua.
Të lidhura
None found
Gjatë 20 viteve të fundit, fertiliteti në Bashkimin Evropian ka qëndruar vazhdimisht nën 2.10 lindje të gjalla për grua. Ky konsiderohet niveli i nevojshëm për zëvendësimin natyror të popullsisë, në kushtet e vdekshmërisë së ulët.
Rajoni i Shkupit kryeson në Maqedoni me 1.73 lindje të gjalla për grua. Mbi mesataren kombëtare qëndrojnë edhe rajoni Verilindor, me 1.40, si dhe rajoni i Pellagonisë, me 1.36 fëmijë për grua.
Në anën tjetër, rajoni Lindor ka regjistruar normën më të ulët, prej 1.16 lindjesh të gjalla për grua. Në Pollog dhe në rajonin Jugperëndimor shkalla është 1.27, në rajonin Juglindor 1.30, ndërsa në Vardar 1.31.
Sa u përket rajoneve të BE-së, nga gjithsej 1.165 rajone për të cilat kishte të dhëna, 439 prej tyre, ose 37.7 përqind, kishin një shkallë fertiliteti nën mesataren evropiane. Në 714 rajone, që përbëjnë 61.3 përqind, norma ishte më e lartë se mesatarja, ndërsa 12 rajone kishin të njëjtin nivel fertiliteti me mesataren e BE-së./Telegrafi/







