Nuk është aspak e nevojshme të jesh me formim si ekonomist apo financier, për të lexuar lehtësisht “mes reshtave” paketën e re të taksave në Shqipëri. Ulja e TVSH- së në 6% nga 20% që është aktualisht, për vetëm 54 produkte të “shportës”, vulos fenomenin e varfërisë si fenomen shqetësues në një shoqëri, e cila tashmë është gati në pragun e Bashkimit Euopian. Pa u ndaluar fare në impaktin që, sipas disa ekonomistëve do të jetë i ndjeshëm dhe sipas të tjerëve aspak i ndjeshëm, po pranohet se një pjese jo të vogël të shqiptarëve, duhet menduar “tu mbushet barku” me bukë.
Nëse do të ishte ndryshe, nuk do të veçoheshin vetëm 54 produkte (duke iu përcaktuar miliona shqiptarëve edhe menunë ushqimore) por do të shtrihej në çdo lloj produkti ushqimor, të brendshëm apo të jashtëm, luksi apo jo. Përtej kësaj, shqiptarët konsiderohen si qenie për një “kafshatë bukë”, edhe pse është e qartë, se kjo manovër, dukshëm elektorale, nuk do tu ngelet ndonjë qindarkë më shumë në xhep në fund të muajit.
Si qeveri e majtë, ajo ti jep me të mëngjërën dhe ti merr me të djathtën. Shqiptarët, të varfër ose jo, me të ardhurat e tyre, nuk kryejnë vetëm nevojën fiziologjke të ushqyerjes. Ata kanë një çati mbi kokë, të mirë apo të keqe, të blerë apo me qira. Ata duhet të pagujnë ujë dhe drita çdo muaj. Ata kanë nevojë për një higjienë minimale, qoftë sapun apo shampo për të larë trupin. Sipas mundësisë, në të rrallë, edhe mund të guxojnë për kafe ose drekë, në kuptimin e fast-food të lagjes. Natyrisht, nuk mund të jetojnë zhveshur, si në prehistori por kanë nevojë për veshje, këpucë, çadër për tu mbrojtur nga shiu. Ata që mund t’ja dalin të kursejnë nga ushqimet pasi TVSH do të ulet 6% për gavetën e propozuar nga qeveria, mund të guxojnë të ëndërrojnë ndonjë ditë teke si turist, qoftë edhe duke marrë ndonjë shezhlong dhe çadër në plazh. Shkurt, për të gjitha këto, që mund të konsiderohen më normalet e mundshme edhe në disa vende të humbura të Afrikës, shqiptarët do të duhet të paguajnë më shumë. Për arsyen e thjeshtë se TVSH për të gjitha këto, është rritur nga 20% në 21%.
Këtë rritje, nuk do ta kenë mbi kurriz bizneset, sidomos ato të mëdha. Do ta mbajnë kryesisht bizneset e vogla, mbi të cilat TVSH rëndon sapo kalojnë 50 milion lekë të vjetra xhiron vjetore ose diçka më shumë se 4 milion në muaj ose diçka më shumë se 300 mijë në ditë. Madje, përfaqësues të biznesit të madh, e kanë pranuar publikisht se ka qenë kerkesë e tyre- plotësuar nga qeveria, për të “shkarkuar” tek biznesi i vogël. Natyrisht, në fund, janë konsumatorët që do i paguajnë nga të ardhurat e tyre, ndoshta të kursyera edhe nga TVSH 6% për 54 produkte ushqimore.
Tani të flasim për naftën! Parashikohet që çmimi për litër të ulet me 32 lekë apo 320 lekë të vjetra, në dukje lajm i mirë. Por nga ana tjetër, kjo diferencë do të faturohet me një të rënë të lapsit tek tarifa vjetore apo “taksa e shtetit”. Nëse ka patur mundësi të kursesh diçka deri më sot, duke qarkulluar më pak me makinë, tashmë qarkullove apo jo, shteti ta merr menjëherë, si qarkullove shumë apo pak. Me shumë mundësi, edhe me këtë ulje të çmimit të naftës, shteti vetëm do të fitojë nga kjo “gjetje”. Nuk është e qartë sa do të rritet taksa vjetore por për shembull, nëse deri tani ke paguar 150 mijë lekë të vjetra, do të duhet të paguash jo më pak se 250 mijë në vit. Përsëri, ti heq me të majtë, ti shton me të djathtën.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo paketë, nuk është për të zbutur varfërinë, e cila pranohet si fenomen gjithëpërfshirës. Do të mjaftonin dy lëvizje të thjeshta: rritja e pagës minimale dhe barazimi i saj me pensionin minimal dhe rritje progresive me 10% çdo vit të pagave për të zbutur varfërinë, sidomos në kushtet kur nuk prodhojmë asgjë dhe çdo gjë që hyn në Shqipëri, hyn me euro, e cila ka humbur rreth 35% të fuqisë së saj tashmë. Si mund të përballohej shtesa në skemën e pensioneve? Nga sufiçiti buxhetor, përmes taksa- tatimeve, i deklaruar publikisht nga qeveria prej vitesh. Aq më tepër, kur pjesa dërrmuese e veprave të mëdha publike, në kuptimin e vlerës financiare, prej vitesh tashmë jepen me konçesion tek privati, pra shteti nuk harxhon nga buxheti i vet. /Nga Sokol N. SOKOLI/




