Partizani përballë një kalendari të vështirë, Karoglan dhe skuadra rrezikojnë më të keqen

Pas 9 javësh në Superiore, Partizani ndodhet në vendin e fundit me vetëm 4 pikë. Situata mund të përkeqësohet edhe më shumë, pasi në katër ditët e ardhshme nis një seri përballjesh tepër të vështira për “Demat e Kuq”.

Testi i parë do të jetë ndaj Teutës, në transfertën e “Niko Dovanës”, ku i pret skuadra që kryeson kampionatin. Pas këtij takimi, ekipi i drejtuar nga Karoglan do të luajë përsëri jashtë fushe, këtë herë përballë Laçit, një kundërshtar i fortë dhe veçanërisht i vështirë në shtëpi.

Të lidhura

None found

Më 22 nëntor, Partizani do të presë Vllazninë. Kuqeblutë janë një rival me peshë dhe do të zbresin në fushë në kërkim të pikëve.

Në ditët e fundit të nëntorit është programuar derbi i kryeqytetit kundër Dinamos së Ilir Dajës. Dinamovitët kanë objektiva të mëdha dhe një synim të përcaktuar qartë. Menjëherë pas kësaj, në fillim të dhjetorit, Partizani do të përballet me kampionët e Egnatias.

Seria e sfidave të vështira do të përfundojë më 6 dhjetor, me derbin e madh të kryeqytetit kundër Tiranës. Mbetet për t’u parë se si do të reagojnë “Demat e Kuq”, duke nisur nga dueli me Teutën. Nëse skuadra nuk arrin të ndryshojë situatën, qëndrimi i Partizanit në Superiore mund të vihet seriozisht në rrezik.


Shtuar më 29.10.2026 09:54

Quantcast