Thursday / October 29 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Teknologji

Meta dhe Snapchat përballen me drejtësinë për dëmet ndaj adoleshentëve

Share Share Icon

Gjigantët e rrjeteve sociale Meta dhe Snap po përballen me një tjetër proces të rëndësishëm gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, nën akuzat se platformat e tyre janë projektuar për të krijuar varësi dhe se përdorimi i tyre ka ndikuar negativisht në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Përzgjedhja e jurisë nisi më 28 tetor në Los Anxhelos, në një proces që mund të ndikojë në mijëra padi të ngjashme të ngritura kundër kompanive të teknologjisë. Për herë të parë, Snap, kompania që zotëron Snapchat, pritet të përballet me një juri për pretendime të kësaj natyre.

Vitet e fundit, mijëra padi janë depozituar në gjykatat amerikane, si në nivel shtetëror, ashtu edhe federal, ndërsa procese të ngjashme janë zhvilluar edhe në Francë, Itali, Danimarkë dhe Holandë.

Në qendër të tyre është një pyetje: A duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore kompanitë e teknologjisë për mënyrën se si algoritmet dhe funksionet e platformave të tyre ndikojnë në sjelljen dhe shëndetin mendor të përdoruesve të mitur?

Procesi i ri vjen pas një vendimi të rëndësishëm të marsit 2026, kur një juri amerikane i shpalli Meta dhe YouTube përgjegjëse për dëmtimin e një përdorueseje të re, të identifikuar me inicialet KGM. Dy kompanitë u urdhëruan të paguanin së bashku 6 milionë dollarë dëmshpërblim.

Meta kundërshtoi vendimin, ndërsa Snap dhe TikTok kishin arritur marrëveshje me paditësen përpara fillimit të gjykimit.

Në një tjetër çështje, që ishte planifikuar të shqyrtohej në gusht, Snap, TikTok dhe YouTube arritën marrëveshje me paditësen. Kjo e fundit tërhoqi më pas pretendimet ndaj Meta, duke bërë që kompania të shmangte procesin gjyqësor.

Dy të reja kundër gjigantëve të teknologjisë

Procesi aktual lidhet me dy paditëse, të identifikuara me inicialet SJ dhe KDB, të cilat pretendojnë se përdorimi i rrjeteve sociale u ka shkaktuar probleme serioze shëndetësore.

Sipas dokumenteve gjyqësore, SJ, një adoleshente nga Illinois, nisi ta përdorte Snapchat në mënyrë të detyruar që në moshën 13-vjeçare. Avokatët e saj pretendojnë se përdorimi i platformës u shoqërua me probleme të shëndetit mendor, çrregullime të të ushqyerit dhe sjellje vetëdëmtuese.

KDB, tashmë 18 vjeçe dhe banore e Mississippi-t, pretendon se zhvilloi një përdorim të pakontrolluar të platformave të Meta dhe Snap, pasi nisi t’i përdorte në moshën 15-vjeçare. Sipas avokatëve, kjo ndikoi në përkeqësimin e shëndetit të saj fizik dhe mendor.

TikTok dhe YouTube, të cilat fillimisht ishin pjesë e padive, kanë arritur marrëveshje me paditëset. Edhe Meta ka arritur marrëveshje me SJ, por jo me KDB.

Nëse nuk arrihen marrëveshje të tjera, deklaratat hapëse të procesit pritet të nisin më 4 nëntor.

Mes dëshmitarëve që pritet të paraqiten në gjykatë nga mesi i nëntorit janë drejtori ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg, drejtuesi i Instagram, Adam Mosseri, dhe drejtori ekzekutiv i Snap, Evan Spiegel.

Algoritmet dhe mekanizmat që krijojnë varësi

Paditë amerikane janë përqendruar veçanërisht te mënyra se si janë projektuar platformat, duke argumentuar se disa funksione synojnë t’i mbajnë përdoruesit aktivë për periudha gjithnjë e më të gjata.

Mes praktikave të kundërshtuara janë lëvizja e pafundme në përmbajtje (infinite scrolling), riprodhimi automatik i videove dhe mekanizmat që nxisin ndërveprimin e vazhdueshëm.

Paditësit argumentojnë se këto karakteristika mund të krijojnë modele përdorimi të pakontrolluar, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët.

Kompanitë i kundërshtojnë akuzat.

Meta ka mohuar se platformat e saj janë përgjegjëse për dëmet e pretenduara, duke deklaruar se do të vazhdojë të mbrohet kundër padive që i konsideron të pabazuara.

Nga ana tjetër, Snap argumenton se Snapchat ndryshon nga Instagram dhe Facebook, pasi funksioni i tij kryesor është komunikimi përmes mesazheve.

Kompania pretendon se provat do të tregojnë se siguria e komunitetit ka qenë përparësi dhe se akuzat nuk pasqyrojnë mënyrën se si është projektuar platforma.

Miliarda dollarë gjoba dhe marrëveshje

Presioni ligjor ndaj kompanive të rrjeteve sociale është intensifikuar gjatë vitit 2026.

Në tetor, një gjykatës në New Mexico urdhëroi Meta të paguante 25 miliardë dollarë në një çështje të lidhur me mënyrën se si kompania kishte informuar përdoruesit për përdorimin e të dhënave të tyre, në kuadër të skandalit Cambridge Analytica.

Në një proces tjetër, një juri në të njëjtin shtet e kishte shpallur kompaninë përgjegjëse për dëmet ndaj fëmijëve, duke çuar në një penalitet të raportuar prej 942 milionë dollarësh.

Në gusht, Meta ra dakord të paguante mbi 18 miliardë dollarë dhe të ndryshonte disa funksione të Instagram dhe Facebook për adoleshentët, si pjesë e një marrëveshjeje me 52 prokurorë të përgjithshëm amerikanë.

Marrëveshja parashikonte gjithashtu ndryshime që lidhen me kohën e përdorimit të platformave nga të miturit, me disa kushte të lidhura edhe me veprimet e kompanive të tjera, përfshirë YouTube dhe TikTok.

Europa kërkon më shumë përgjegjësi nga platformat

Edhe në Europë, kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me presion gjithnjë e më të madh ligjor dhe rregullator.

Në Francë, TikTok është përballur me disa procese gjyqësore. Në nëntor 2024, shtatë familje ngritën një padi të përbashkët, duke pretenduar se platforma i kishte ekspozuar adoleshentët ndaj përmbajtjeve të dëmshme.

Çështja u zgjerua më pas, duke përfshirë 16 familje, ndërsa në maj 2026 mori edhe karakter penal.

Në Itali, Lëvizja Italiane e Prindërve (MOIGE) dhe disa familje nisën në tetor 2025 një veprim kolektiv gjyqësor, duke kërkuar verifikim më të fortë të moshës për përdoruesit nën 14 vjeç, transparencë më të madhe të algoritmeve dhe kufizimin e funksioneve që nxisin përdorimin e vazhdueshëm.

Seanca përfundimtare është planifikuar për 19 nëntor. Një vendim në favor të paditësve mund t’i detyrojë kompanitë të zbatojnë sisteme të certifikuara verifikimi të moshës, të heqin funksione të caktuara dhe të vendosin paralajmërime për rreziqet shëndetësore.

Në nivel të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka intensifikuar hetimet në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).

Në shkurt 2026, Komisioni konstatoi paraprakisht se projektimi i TikTok mund të shkelte rregullat europiane, për shkak të shqetësimeve për përdorimin kompulsiv, kohën e kaluar në platformë dhe efektivitetin e kontrolleve prindërore.

Në mars nisi një hetim i ngjashëm ndaj Snapchat, për të cilin ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Ndërkohë, në prill dhe korrik, Komisioni konstatoi shkelje nga Meta në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve nën 13 vjeç dhe përdorimin e funksioneve që nxisin varësinë, përfshirë lëvizjen e pafundme në përmbajtje dhe riprodhimin automatik të videove.

Debati po zhvendoset gradualisht nga përgjegjësia individuale e prindërve për kontrollin e kohës që fëmijët kalojnë në internet, drejt përgjegjësisë së kompanive për projektimin e produkteve digjitale.

Procesi ndaj Meta dhe Snap pritet të jetë një tjetër provë e rëndësishme për të përcaktuar deri ku shtrihet përgjegjësia ligjore e platformave për pasojat që pretendohet se shkaktojnë te përdoruesit më të rinj./ EURONEWS

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Anthropic paralajmëron investitorët: AI jashtë kontrollit, sulmet kibernetike dhe armët e rrezikshme

Dokumentacioni i kompanisë së inteligjencës artificiale për ofertën publike fillestare (IPO) paralajmëron për dëmet e mundshme nga sistemet gjithnj...

2 days më parë 8 Min Lexim

Po e humbasim kontrollin mbi inteligjencën artificiale? Çfarë po e nxit frikën?

Frika se inteligjenca artificiale mund të dalë jashtë kontrollit njerëzor nuk është më vetëm një skenar i filmave fantastiko-shkencorë. Zhvillimet ...

3 days më parë 4 Min Lexim
Bota /

Mos lejoni që IA të vrasë autorin

6 days më parë 6 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!