AUV sekuestron rreth 2 tonë mish të pasigurt në Radovish dhe Negotinë

Gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të zhvilluara në Radovish dhe në fshatin Pepelishtë të Negotinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në RMV ka bllokuar rreth 2 tonë mish dhe produkte mishi që paraqisnin rrezik për sigurinë ushqimore.

Sipas AUV-së, shërbimet inspektuese kryen kontrolle dje në objektet me pakicë të mishit, përgatitjeve të mishit dhe përpunimit të mishit në territorin e Komunës së Radovishit. Kontrolle u zhvilluan gjithashtu te një person fizik në fshatin Pepelishte të Negotinës, i cili përmes rrjeteve sociale prodhonte dhe shiste produkte mishi të tymosura dhe të prera.

Të lidhura

None found

Në Radovish, inspektorët sekuestruan afërsisht 2 tonë mish të freskët e të ngrirë, si dhe përgatitje mishi të pasigurta. Këto produkte pritet të asgjësohen sot në deponinë “Drisla”.

Ndërkohë, në Pepelisht u konfiskuan 50 kilogramë përgatitje mishi, përfshirë pecenicë, kulen dhe proshutë të tymosur. Produktet i përkisnin një personi fizik që ushtronte pa miratim nga Agjencia veprimtarinë e “prodhimit të produkteve të mishit të tymosur dhe të prera”.

AUV bëri të ditur se këto produkte nuk kishin deklaratë origjine dhe ishin përpunuar e ruajtur në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike. Për këtë arsye, ato përbënin rrezik serioz për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin e konsumatorëve.

Institucionet përgjegjëse do të vijojnë kontrollet inspektuese për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të parandaluar prodhimin e tregtimin e paligjshëm të ushqimeve të pasigurta, thuhet në njoftimin e AUV-së.


Shtuar më 29.10.2026 10:17

Tags:
Quantcast