Ergys Agasi pritet të transferohet nga paraburgimi i Bradasheshit, pasi për lëvizjen e tij është firmosur urdhri përkatës nga Sadleva Bodo.
Ndërkohë, forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në ambientet e paraburgimit, ku Agasi po mbahet aktualisht, për të kryer procedurat e nevojshme të transferimit.
Për arsye sigurie, nuk është bërë i ditur institucioni i vuajtjes së paraburgimit ku pritet të dërgohet Agasi. Lëvizja e tij vjen pas transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, drejt një institucioni tjetër penitenciar.
Si u arrestua Agasi?
I shumëkërkuari nga SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, Ergys Agasi, u arrestua nga policia në zonën e Plepave në Durrës, pasi u lokalizua fillimisht në Elbasan. Bashkë me të u prangos edhe ish-efektivi i policisë, Uljan Shpataraku. Agasi akuzohet se në bashkëpunim me Ermal Beqirajn, i arrestuar pak javë më parë në Francë, krijoi një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë përmes korrupsionit, dhunës dhe pengmarrjes.
Në kuadër të kësaj dosje, ish-drejtoreshës së AKSHI-t i është lehtësuar masa e sigurisë në “detyrim paraqitje”.
Pas arrestimit të Agasit dhe ish-efektivit Uljan Shpataraku në Plepa të Durrësit, policia ushtroi kontroll blic me urdhër të SPAK-ut në banesën e Shpatarakut te “Liqeni i Thatë” për të sekuestruar prova elektronike e dokumente lidhur me dosjen e AKSHI-t.












