E enjte, 29 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Megaoperacioni “POLINOMI” në Shkodër, sekuestrohen 265 kg kanabis dhe dy mina të dyshuara antitank, 4 të arrestuar (EMRAT)

Policia e Shkodrës ka finalizuar megaoperacionin antidrogë të koduar “POLINOMI”, pas një hetimi intensiv katërmujor të zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, dy mina të dyshuara antitank, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, janë arrestuar në flagrancë Admir Selgjekaj, 38 vjeç, Elsid Ramci, 25 vjeç, si dhe vëllezërit Bujar Kukaj, 56 vjeç, dhe Naim Kukaj, 52 vjeç. Ata dyshohen për veprimtari të lidhur me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Bujar Kukaj akuzohet gjithashtu për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit.

Reklamë

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Esat Kukajn, 58 vjeç, Denjan Kukajn, 23 vjeç, dhe Anarldo Mulletin, 39 vjeç, të dyshuar për përfshirje në veprimtarinë e paligjshme. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se kishte ndarë detyrat mes magazinimit dhe paketimit të lëndës narkotike, si dhe organizimit të transportit dhe shitjes së saj brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë kontrolleve në një automjet tip “Volkswagen Passat” dhe në banesat e Bujar dhe Naim Kukajt, policia gjeti dhe sekuestroi 265.4 kilogramë kanabis, të përgatitur dhe të paketuar për shitje e trafikim. Ndërsa në një sipërfaqe toke në pronësi të Bujar Kukajt u zbuluan dy mina të dyshuara antitank, të cilat iu dorëzuan shërbimeve xheniere të Forcave të Armatosura për ekzaminim të mëtejshëm. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu shtatë telefona celularë dhe gjashtë automjete.

Reklamë

Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës vazhdojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në të.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.