FSK-ja pajiset me 12 kamionë UNIMOG nga Mercedes-Benz, Maqedonci: Dhjetëra mjete të tjera vijnë në vitin 2027

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për përdorim nga kjo forcë, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ceremonia e pranimit u zhvillua në prani të kryeministrit Albin Kurti, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Maqedoncit, të cilit i referohet “Bota sot”, automjetet e reja janë pjesë e investimeve që synojnë forcimin e kapaciteteve transportuese dhe logjistike të FSK-së.

Kamionët UNIMOG janë të përshtatshëm për lëvizje në terrene të vështira. Ata do të përdoren për transportin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive në situata të ndryshme operacionale.

Ministri bëri të ditur se gjatë vitit 2027 pritet të mbërrijnë dhjetëra kamionë të tjerë të blerë, ndërsa FSK-ja do të marrë gjithashtu automjete të dhuruara nga Gjermania.

Kosova kishte pranuar në vitin 2024 pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion gjerman. Për vitin 2027 parashikohet pranimi i dy kamionëve të tjerë të këtij modeli dhe katër kamionëve zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, po ashtu në formën e donacionit.

Me 12 kamionët UNIMOG dhe tetë kamionët Rheinmetall të ardhur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara nga këto dy kategori ka arritur në 35, bëri të ditur Maqedonci.

Ai tha se pajisjet e reja do të përmirësojnë mbështetjen logjistike dhe do t’u mundësojnë njësive të FSK-së të veprojnë me më shumë efikasitet.

“Logjistika është pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale”, deklaroi Maqedonci, duke vënë në pah nevojën për investime në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore.

Ministri shprehu mirënjohje për kryeministrin Kurti, komandantin e FSK-së Bashkim Jashari, ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e kompanive gjermane për bashkëpunimin dhe ndihmën në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.


Shtuar më 29.10.2026 10:29

Quantcast