Në Prishtinë po mbahet dita e dytë e Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, në fokus roli i diasporës

Në Prishtinë është duke u mbajtur dita e dytë e edicionit të tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, një ngjarje që bën bashkë përfaqësues të institucioneve, liderë të biznesit dhe investitorë nga Kosova, Gjermania dhe vende të tjera evropiane, shkruan Telegrafi.
Në fokus të diskutimeve të ditës së dytë ishte roli i diasporës në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe mundësitë për investime, bashkëpunim ndërmjet bizneseve dhe zhvillimin e prodhimit vendor.
Në këtë forum mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili foli për rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Gjermanisë, përtej bashkëpunimit institucional.
Ndër folësit e tjerë të forumit ishin Dr. Micong Klimes, nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Zenun Krasniqi, nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, si dhe Irfan Perçuku, nga Fati Group.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e përvojës së diasporës në krijimin e partneriteteve të reja dhe nxitjen e investimeve në Kosovë. Po ashtu, u diskutuan mundësitë për promovimin e produkteve të prodhuesve kosovarë në tregun gjerman dhe për shfrytëzimin e potencialit të fuqisë punëtore vendore.
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke krijuar hapësira për dialog, partneritete dhe mundësi të reja investimi./Telegrafi/






































