Adnan Rrustemi: Po hartohet strategjia shtetërore për fazën e apelit në Hagë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka bërë të ditur se ka nisur punën grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për fazën e apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Rrustemi ka thënë se, për herë të parë, po ndërtohet një përgjigje e organizuar shtetërore për një proces gjyqësor që, sipas tij, ka prodhuar pasoja të rënda politike, juridike dhe njerëzore.
Ai ka rikujtuar kundërshtimin e LVV-së ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, duke vënë në pikëpyetje arsyetimin se kjo gjykatë do ta pastronte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga dyshimet.
“Regjimi i Serbisë ishte agresori, Kosova ishte vendi i shtypur dhe i pushtuar, shqiptarët luftuan për lirimin e tyre”, ka deklaruar Rrustemi.
Deputeti i LVV-së ka theksuar se ish-drejtues të UÇK-së prej vitesh po mbahen në paraburgim në Hagë, ndërsa ka vënë në pah rëndësinë e besueshmërisë së drejtësisë dhe mënyrës se si zhvillohen proceset gjyqësore.
Sipas tij, përgjegjësia penale është individuale dhe askush nuk duhet të dënohet për shkak të përkatësisë në një ushtri çlirimtare, pozitës politike që ka mbajtur apo historisë së një organizate.
Deklaratat e Rrustemit vijnë pas nisjes së punës për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me fazën e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.






































