Ekranet e veturave moderne mund të paraqesin rrezik më të madh se alkooli gjatë ngasjes

Ekranet me prekje të instaluara në automobilat e rinj mund të cenojnë ndjeshëm sigurinë në trafik, pasi shpesh e largojnë përqendrimin e shoferëve nga rruga.

Një hulumtim i Qendrës së Teknologjisë së kompanisë së sigurimeve Allianz ka treguar se, në situatat e analizuara, shpërqendrimi i shkaktuar nga ekranet digjitale ndikoi në sigurinë e ngasjes më shumë sesa prania e alkoolit në gjak.

Të lidhura

None found

Studimi u prezantua në kuadër të Allianz Motor Day 2026 dhe përfshiu analizën e më shumë se 34 mijë aksidenteve të trafikut, krahas testeve në simulatorë të ngasjes dhe hulumtimeve shkencore për shpërqendrimin e shoferëve.

Rezultatet tregojnë se kur shoferi i largon sytë nga rruga për më shumë se dy sekonda, rreziku për aksident rritet dukshëm.

Vështirësia shtohet kur veprime të zakonshme, si ndryshimi i temperaturës ose rregullimi i radios, duhet të kryhen përmes ekraneve ku nevojiten disa prekje dhe kalim nëpër menu të ndryshme.

Ndikimi i shpërqendrimit u vu re më qartë në testet që kërkonin reagim të menjëhershëm nga drejtuesit.

Gjatë simulimit të frenimit të papritur në autostradë, përplasjet u regjistruan në 18,2 për qind të rasteve kur shoferët ishin të përqendruar. Kur ata shpërqendroheshin, kjo shifër arrinte në 54,3 për qind.

Një rezultat i ngjashëm u vu re edhe në skenarin ku një fëmijë shfaqej papritur në rrugë. Në këtë rast, përplasjet u rritën nga 3,9 në 11,2 për qind, ndërsa në 39 për qind të rasteve shoferët e shpërqendruar nuk reaguan fare.

Për t’i vlerësuar më tej rezultatet, hulumtuesit i krahasuan ato me simulime të ngasjes nën ndikimin e alkoolit, me nivel prej 0,8 promilësh në gjak.

Në të katër skenarët e përfshirë në testim, drejtuesit e shpërqendruar dolën më dobët. Sidoqoftë, bëhet fjalë për simulime të veçanta dhe gjetjet nuk nënkuptojnë se çdo përdorim i ekranit është më i rrezikshëm sesa ngasja nën ndikimin e alkoolit.


Shtuar më 29.10.2026 10:38

Quantcast