Rajoni

Vrasja e Arlinda Zekajt, vazhdojnë protestat në Kosovë!

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë vijon protesta e nisur një ditë më parë kundër vrasjes së grave. Qindra qytetarë kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara në Kosovë. U regjistruan edhe momente tensioni. Organizatorët presin llogaridhënie institucionale pas vrasjes së paralajmëruar të 49-vjeçares në Pejë.

Do të bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen. Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar, për siguri e liri për gratë e gjalla dhe drejtësi për gratë e vrara.

Protesta të ngjashme edhe në Ferizaj.

Protestuesit kërkojnë hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse, shkarkimin e zyrtarëve që nuk kanë vepruar për çështjen e Arlinda Zekajt dhe masa për mbrojtjen e grave.  Vrasja ka shkaktuar reagime të ashpra publike, pasi tre ditë para tragjedisë, 49 vjeçarja kishte dorëzuar një letër në Prokurorinë Themelore të Pejës, ku kërkonte masa urgjente, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj.

Mbrëmjen e 25 tetorit, Arlinda Zekaj u vra me sëpatë nga kunati në Vitomiricë të Pejës. Pas dy ditëve në arrati, ai u arrestua në Deçan.  Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë.

Ministritë e Drejtësisë e të Punëve të Brendshme në Kosovë, sot duhet t’i dorëzojnë kryeministrit Albin Kurti edhe raportin e hartuar për veprimin e zinxhirit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Sipas tij, ngjarja tregoi se qartazi kishte neglizhencë nga ana e tyre. Kurti paralajmëroi se do t’i bëjë publike konkluzionet. Prej fillimit të vitit, në Kosovë janë vrarë 8 gra.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.