Një 29-vjeçar italian ka pranuar përfshirjen në vrasjen e Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet në një pus në zonën e Longianos, në Itali.
Autori i dyshuar ka rrëfyer para hetuesve se ishte ai që kreu krimin, ndërsa si motiv dyshohet një konflikt për një borxh të lidhur me lëndët narkotike.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, sherri mes dy personave përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit. Maxhallaku, i cili jetonte në Gatteo dhe punonte si bojaxhi, ishte zhdukur në fillim të tetorit. Ai ishte larguar nga banesa duke i thënë bashkëshortes se do të dilte për pak kohë, por nuk u kthye më.
Shqiptari la pas bashkëshorten dhe vajzën e tyre vetëm një vjeçe.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, 31-vjeçari dhe i dyshuari ishin takuar në banesën e këtij të fundit mbrëmjen e zhdukjes.
Gjatë takimit dyshohet se mes tyre nisi një debat për një detyrim financiar të lidhur me drogën, i cili më pas degjeneroi në dhunë. Gjatë marrjes në pyetje, 29-vjeçari ka pretenduar se ishte ndier i kërcënuar dhe se kishte frikë për veten dhe familjen e tij.
Ai ka pranuar se e kishte qëlluar shqiptarin me armë zjarri, ndërsa më pas kishte transportuar trupin dhe e kishte hedhur në një pus në një zonë rurale, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Në kuadër të hetimeve, dyshohet gjithashtu se automjeti i viktimës është djegur për të vështirësuar zbulimin e ngjarjes. Makina ishte gjetur e shkrumbuar pranë zonës ku më vonë u zbulua trupi i pajetë.
Trupi i Denaldo Maxhallakut u zbulua më 28 tetor në një pus në zonën e Felloniche, në territorin e Longianos. Pranë vendit ku u gjet viktima, hetuesit konstatuan edhe gëzhoja arme zjarri.
Pas zbulimit të trupit dhe marrjes në pyetje të personave të dyshuar, hetimet çuan në ndalimin e 29-vjeçarit, i cili dyshohet se ishte personi i fundit që kishte takuar shqiptarin.
I ndaluari pritet të përballet me procedurat gjyqësore për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit. Ndërkohë, ekspertiza mjekoligjore dhe autopsia pritet të ndihmojnë në përcaktimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarit do të përcaktohet nga drejtësia.












