Numri i personave që humbën jetën në aksidentin hekurudhor të ndodhur të mërkurën në Spanjë është rritur në 69, sipas presidentit të rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page Sánchez.

Prej 110 personave që u dërguan në spitalet e këtij rajoni, 60 janë liruar nga trajtimi, ndërsa 50 të tjerë vazhdojnë të marrin kujdes mjekësor, me gjendje të ndryshme shëndetësore.


García-Page Sánchez bëri të ditur gjithashtu se gjendja e katër prej 15 pacientëve që ndodheshin në gjendje kritike është përmirësuar, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, të paktën 98 persona të lënduar janë trajtuar në spitalet e Madridit dhe nuk përfshihen në këto shifra.

Në shenjë zie për viktimat e aksidentit, Ministria e Mbrojtjes e Spanjës ka urdhëruar uljen e flamujve në gjysmështizë në të gjitha qendrat dhe njësitë e saj.

Ministria ka publikuar pamje që tregojnë flamujt duke u ulur në disa prej objekteve të saj, si shenjë nderimi për personat që humbën jetën në tragjedi. /Telegrafi/