OSHEE: Mbi 23 mijë pagesa me kartë për faturat e energjisë, vlera arrin në 1 milion euro
Mbi 23 mijë transaksione elektronike janë kryer për pagesën e faturave të energjisë elektrike në sportelet e Kujdesit ndaj Klientit të OSHEE-së, gjatë vitit të parë të funksionimit të terminaleve POS. Sipas të dhënave të kompanisë, vlera e pagesave të realizuara përmes kësaj metode ka arritur në rreth 1 milion euro.
Shërbimi i pagesave me kartë bankare u prezantua më 1 tetor 2025, fillimisht si projekt pilot në Tiranë, me synimin për t’u shtrirë gradualisht në qytete të tjera. Aktualisht, sipas OSHEE-së, terminalet POS janë të disponueshme në të gjitha pikat e Kujdesit ndaj Klientit, duke u mundësuar abonentëve të shlyejnë faturat pa përdorur para në dorë.
Pagesa kryhet pasi punonjësi verifikon detyrimin e abonentit në sistemin e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) dhe regjistron shumën në terminalin POS. Më pas, klienti mund të paguajë me kartë bankare ose përmes pajisjeve që mbështesin pagesat pa kontakt dhe portofolat digjitalë. Pas miratimit të transaksionit, gjenerohet konfirmimi elektronik i pagesës.
Sipas kompanisë, ky shërbim synon të lehtësojë procedurat e pagesës dhe të reduktojë kohën e pritjes në sportele. Zgjerimi i tij është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve të OSHEE Group.
Përveç terminaleve POS, abonentët mund të paguajnë faturat edhe përmes aplikacionit dhe faqes zyrtare të OSHEE-së, platformës e-Albania, bankave të nivelit të dytë, Postës Shqiptare dhe pikave të transferimit të parave. Platformat online mundësojnë kryerjen e pagesave në distancë, në çdo orë të ditës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



