Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë një rritje të konsiderueshme të pagave duke nisur nga 1 janari i vitit 2027. Sipas informacioneve të deritanishme, shtesa mujore do të variojë në bazë të rolit dhe gradës që mban secili efektiv.

Konkretisht, për punonjësit e rolit bazë parashikohet një rritje prej 20 mijë lekësh të reja në muaj, ndërsa për efektivët e niveleve më të larta, përfshirë drejtuesit madhorë, shtesa do të jetë 15 mijë lekë të reja.

Kjo nismë konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të mëdha në skemën e pagave të Policisë së Shtetit, duke synuar përmirësimin e kushteve financiare për punonjësit e këtij institucioni.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, kanë deklaruar më herët se rritja e pagave përbën një formë mbështetjeje dhe vlerësimi për efektivët që angazhohen çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Lajmi për rritjen e pagave vjen në një kohë kur forcat e policisë janë përballur me një ngarkesë të shtuar pune, veçanërisht gjatë protestave të organizuara së fundmi në disa zona të vendit.

Vetëm pak ditë më parë, ekzekutivi njoftoi gjithashtu një shpërblim financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit, si vlerësim për angazhimin e tyre në menaxhimin e situatave të krijuara gjatë tubimeve.

Ndryshimet e parashikuara për fillimin e vitit të ardhshëm pritet të përfshijnë të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit, nga efektivët e terrenit deri te drejtuesit e niveleve më të larta.

Megjithatë, mbetet për t’u parë miratimi dhe zbatimi përfundimtar i skemës së re të pagave, e cila do të përcaktojë përfitimet konkrete për secilën kategori të punonjësve.