Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkesë qeverisë: Na përjashtoni nga taksa e re e qarkullimit
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i kërkon qeverisë përjashtimin e autobusëve të transportit publik, nga taksa e re e qarkullimit, heqjen e akcizës së karburantit dhe aplikimin e një norme të reduktuar të TVSH-së prej 6%.
Propozimet synojnë të kufizojnë rritjen e kostove të operatorëve dhe të garantojnë vijimësinë e shërbimit publik.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka paraqitur qeverisë një paketë propozimesh për lehtësimin e barrës fiskale të sektorit, në kuadër të diskutimeve për Paketën Fiskale 2027. Kërkesat lidhen me taksën e re të qarkullimit, akcizën e karburantit dhe trajtimin e TVSH-së për shërbimin e transportit publik qytetas.
Në lidhje me propozimin për heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe transferimin e saj në një mekanizëm të ri taksimi të automjeteve, shoqata kërkon që autobusët e regjistruar dhe të licencuar për transport publik qytetas të përjashtohen shprehimisht nga detyrimi i ri, nëse ai do të aplikohet si taksë vjetore mbi automjetet.




