Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Masakra e Padalishtës”.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestimet janë kryer të enjten, më 29 tetor 2026, pas një periudhe të gjatë hetimesh për ngjarjet e 26 marsit 1999 në komunën e Istogut.


Të dyshuarit, me inicialet Z.B. dhe G.B., janë lokalizuar dhe arrestuar në fshatrat Osojan dhe Cerkolez të komunës së Istogut.

Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale dhe në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin.

Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do të ndërmerren në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. /Telegrafi/