Llalloshi në Kuvend: Vrasja e Arlindës duhet të jetë pikë kthese në luftën kundër dhunës

Dhuna ndaj grave dhe rasti i Arlinda Zekajt u trajtuan në Kuvend nga deputetja Edona Llalloshi, e cila kërkoi bashkërendim shoqëror dhe masa konkrete institucionale për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla.

Sipas saj, vrasja e Arlindës duhet të shënojë një moment ndryshimi, duke nxitur reagim të përbashkët kundër burrave që e përdorin dhunën si mënyrë për të ushtruar kontroll dhe nënshtrim.

Të lidhura

None found

“Vrasja e Arlindës duhet të shërbejë si pikë kthesë. Duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në mjet sundues, o do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh. E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë”, deklaroi Llalloshi.

Gjatë fjalës së saj, deputetja ndau edhe një përvojë të dhimbshme familjare. Ajo bëri të ditur se në vitin 2008 kushërira e saj, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj.

“Në vitin 2008, kushërira ime, mjeke e respektuar, Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, u shpreh ajo.

Llalloshi përmendi edhe shifrat e viktimave në Kosovë, duke theksuar se që nga paslufta më shumë se 80 gra kanë humbur jetën në rrethana të tilla. Ajo nënvizoi se pas çdo rasti fshihet një jetë e ndërprerë, një familje e rrënuar dhe fëmijë që mbartin pasoja të rënda emocionale.

“Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë për gjithë jetën. Dhe sot duhet ta shtrojmë një pyetje: edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet?”, tha deputetja.

Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të mos presin një tjetër viktimë për të ndërmarrë masa të vendosura kundër dhunës ndaj grave.

“Andaj, të mos presim një tjetër tragjedi. Koha është të veprojmë tani me vendosmëri, t’i kthejmë fjalët në veprim dhe fjalët në përgjegjësi”, përfundoi Llalloshi.


Shtuar më 29.10.2026 11:58

Quantcast