Vendosni fjalën kyçe....

Rusia synon të zhvillojë rrjetin e saj satelitor, Putin vlerëson Elon Musk: Është një gjeni



Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar miliarderin amerikan Elon Musk, duke e cilësuar “një gjeni” për vendosjen në orbitë të mijëra satelitëve, ndërsa Moska po punon për zhvillimin e një rrjeti të vetin të internetit satelitor, përcjell Euronews.

Gjatë një ekspozite në Moskë, në kuadër të samitit Rusi-Afrikë, Putinit iu bë e ditur se Musk kishte më shumë se 5 mijë satelitë në orbitë.

“Elon Musk është një gjeni, vërtet një gjeni”, u shpreh presidenti rus, duke shtuar se Rusia ishte krenare që kishte nisur zhvillimin e sistemit të saj.

Putin deklaroi gjithashtu se Moska mban kontakte të ngushta me partnerë amerikanë, përfshirë Musk, pavarësisht tensioneve politike mes dy vendeve.

“Sepse në orbitë është shumë e rëndësishme të mos i pengojmë njëri-tjetrit dhe të ruajmë një nivel të caktuar disipline dhe rendi”, tha ai.

Rusia synon të krijojë një alternativë të vetën ndaj Starlink, shërbimit të internetit satelitor të kompanisë së Musk, i cili përdor një rrjet satelitësh në orbitën e ulët të Tokës për të ofruar lidhje interneti.