Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me votimin në Kuvend të Ligjit për Bankën e Shqipërisë, duke thënë se “shumica e shqetësimeve të ngritura për imunitetin e guvernatorit, janë dezinformim”.
Balla deklaroi se ndryshimet ligjore synojnë që guvernatori i Bankës së Shqipërisë të gëzojë të drejta dhe imunitete të njëjta me ato të guvernatorëve të bankave qendrore në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Ai theksoi gjithashtu se ligji i ri për Bankën e Shqipërisë, i miratuar gjatë seancës së sotme parlamentare, ka marrë miratimin e Komisionit Europian.
Sipas Ballës, edhe neni 72, i cili trajton konkretisht “imunitetin e guvernatorit”, është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
“Pas 3-4 vitesh ne do të kemi një guvernator banke të një vendi anëtar të BE-së. Ashtu siç gëzon të gjitha të drejtat dhe imunitetet që gëzon një guvernator banke i një vendi anëtar të BE-së, duhet t’i gëzojë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. I gjithë Ligji për Bankën ka marrë “dritën jeshile” nga Komisioni Evropian, madje edhe neni 72 që flet pikërisht për imunitetin e guvernatorit”, u shpreh Balla.
Mes tensioneve dhe flakadanëve, kuvendi miratoi sot me 84 vota pro projektligjin për ‘Bankën e Shqipërisë’.











