Apeli ua rrit në 7 mijë fjalë kufirin për njoftimet e ankesave Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Më 28 tetor, Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale në Hagë vendosi t’ua pranojë pjesërisht kërkesën për më shumë hapësirë në njoftimet e apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Si rrjedhojë, mbrojtja e tyre mund të përdorë deri në 7 mijë fjalë për këto njoftime, ndonëse kufiri i zakonshëm është 3 mijë.

Të lidhura

None found

Mbrojtësit kishin kërkuar që tavani të bëhej 9 mijë fjalë. Ata argumentuan se ndërlikimi i çështjes dhe gjatësia e aktgjykimit kërkojnë më shumë hapësirë për të shpjeguar arsyet e apelimit.

Në vendimin e saj, Dhoma mori parasysh se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator 2026, ka 2.089 faqe dhe është aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Gjyqtarët çmuan se ndërlikimi i rastit e bën të nevojshme hapësirën e mjaftueshme për paraqitjen e qartë të pretendimeve të mbrojtjes lidhur me gabimet e mundshme në aktgjykim.

Megjithatë, trupi gjykues e konsideroi të tepruar kërkesën për 9 mijë fjalë. Sipas tij, gjatësia nuk e përcakton vetvetiu cilësinë dhe efektivitetin e një ankese; rëndësi kanë qartësia dhe argumentet e paraqitura.

Dhoma sqaroi se në njoftime duhet të përcaktohen gabimet që pretendohet se përmban aktgjykimi dhe zgjidhja e kërkuar. Argumentet e hollësishme, ndërkaq, duhet të paraqiten në parashtresat e apelit.

Njoftimet e apelit duhet të dorëzohen deri më 27 nëntor.


Shtuar më 29.10.2026 12:42

Quantcast