Ernest Muçi po konfirmon formën e shkëlqyer te Trabzonspori. Me 8 raste të pastra të krijuara në po aq paraqitje, Muçi renditet mes lojtarëve më produktivë të Europës në këtë statistikë.
Ernest Muçi po kalon një periudhë fantastike në Turqi, ku me fanellën e Trabzonsporit po vijon të tregojë cilësitë e tij në fazën sulmuese. Paraqitjet e mira të sezonit të kaluar po marrin vazhdimësi edhe në këtë edicion, ndërsa statistikat e vendosin shqiptarin përkrah disa prej emrave më të njohur të futbollit europian.
Sipas renditjes së publikuar, Muçi pozicionohet në vendin e katërt mes lojtarëve të 10 ligave kryesore të Europës për rastet e pastra të krijuara për gol. Futbollisti shqiptar ka regjistruar tetë raste të tilla në po aq paraqitje, me një mesatare prej 1,3 rastesh për çdo 90 minuta.
Përpara tij në këtë klasifikim janë vetëm Lamine Yamal i Barcelonës, Arda Güler i Real Madridit dhe Florian Thauvin i Lensit. Në këtë mënyrë, Muçi lë pas futbollistë të njohur si Paulo Dybala, Michael Olise, Nicolò Barella dhe Dani Olmo.
Renditja merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Muçi është i vetmi përfaqësues i Superligës turke mes dhjetë lojtarëve të përfshirë në këtë listë.
Pas nëntë javësh të zhvilluara në kampionatin turk, Muçi është gjithashtu ndër lojtarët që spikasin për krijimin e rasteve të rrezikshme, duke dëshmuar rëndësinë e tij në organizimin e lojës së Trabzonsporit.

