Koshashënuesi më i mirë në Kosovë, Mika Adams rrëfehet për Telegrafin: E duam titullin në Rahovec

Mika Adams po kalon një fillim mbresëlënës të sezonit me Rahovecin 029, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të spikatur të Superligës së Kosovës në basketboll.
Amerikani ka shënuar 163 pikë në gjashtë ndeshjet e para, me një mesatare prej 27.2 pikësh për ndeshje, ndërsa kulmin individual deri më tani e ka arritur ndaj Vëllaznimit, kur realizoi 37 pikë.
Në një intervistë për Telegrafin, Adams ka folur për formën e tij, nivelin e basketbollit kosovar, objektivat e Rahovecit 029 dhe ambiciet për të ardhmen.
Duke folur për fillimin e sezonit, Adams thotë se ndihet i bekuar për mundësinë që ka dhe se përgatitja e përditshme në palestër është çelësi i paraqitjeve të tij.

“E ndiej se e kam nisur sezonin shumë mirë dhe jam mirënjohës e i bekuar që ndodhem në këtë pozitë. Asgjë nuk është e mundur pa Zotin. Sinqerisht, jam në palestër çdo ditë, duke punuar fort dhe duke u përgatitur për të performuar në nivel të lartë. Për këtë arsye kam shumë besim në veten time. Nuk përqendrohem shumë te numrat, thjesht punoj, i besoj procesit dhe i pranoj rezultatet”, deklaroi Adams për Telegrafin.
Paraqitjet e tij të vazhdueshme dhe minutat e shumta në parket kanë bërë që amerikani të jetë një prej pikave kryesore të Rahovecit 029. Ai beson se për të ruajtur këtë nivel duhet t’i përmbahet metodës së tij të punës, pavarësisht rezultateve apo vështirësive që mund të hasë gjatë sezonit.
“Gjithçka ka të bëjë me qëndrimin në palestër, besimin te puna ime dhe besimin në veten time. E di se gjatë sezonit do të ketë ulje-ngritje, por unë gjithmonë i përmbahem metodës sime. Nuk entuziazmohem tepër kur gjërat shkojnë mirë dhe as nuk demoralizohem kur nuk shkojnë sipas planit.

“Jam vërtet mirënjohës që kam trajnerë dhe bashkëlojtarë që besojnë tek unë dhe më japin mundësinë t’i shfaq aftësitë e mia. Trajnerët kanë shumë besim tek unë. Ndonjëherë as nuk më nxjerrin nga loja, kështu që sigurisht që lodhem! Por e përqafoj çdo mundësi që më japin dhe përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum”, u shpreh ai.
Për Adamsin, Superliga e Kosovës ka një nivel të konsiderueshëm dhe potencial që, sipas tij, nuk vlerësohet sa duhet.
“Sinqerisht, mendoj se në Superligën e Kosovës ka shumë talent dhe se ky është një kampionat i nënvlerësuar. I njoh edhe disa prej lojtarëve që luajnë në skuadrat e tjera, gjë që e bën konkurrencën edhe më interesante. Deri më tani, ky është kampionati më i mirë ku kam luajtur. Më kujton vitin tim të parë në Evropë, kur luaja në ligën NM1 të Francës, por mendoj se Superliga e Kosovës ka pak më shumë popullaritet dhe vëmendje”, tha basketbollisti amerikan.

Sa i përket objektivave të Rahovecit 029, Adams nuk e fsheh ambicien për ta rikthyer titullin e kampionit në qytet. Ai pranon se skuadra është ende në proces të ndërtimit të harmonisë dhe njohjes më të mirë të lojës së njëri-tjetrit, por beson se përmirësimi nga ndeshja në ndeshje mund t’i afrojë drejt synimit të tyre.
“Synimi ynë është ta rikthejmë titullin e kampionit në Rahovec. Ende po mësojmë mënyrën se si luan secili prej nesh dhe po ndërtojmë harmoninë në skuadër, por me çdo ndeshje po bëhemi më të mirë dhe më të fortë.
“Jemi një skuadër e re, me shumë potencial, dhe besoj se, teksa vazhdojmë të zhvillohemi dhe të bashkohemi edhe më shumë si ekip, mund të konkurrojmë me çdo skuadër në këtë ligë. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por besojmë në veten tonë dhe në atë që po ndërtojmë. Jemi të gatshëm të luftojmë për diçka të veçantë këtë sezon”, theksoi Adams.

Edhe pse po regjistron statistika mbresëlënëse, amerikani thotë se nuk ka hyrë në sezon me objektiva të caktuara individuale.
“Sinqerisht, para fillimit të sezonit nuk kisha vendosur ndonjë objektiv personal. Përqendrimi im kryesor ka qenë të bëj gjithçka që i nevojitet skuadrës. Sigurisht, do të ishte bukur ta fitoja çmimin MVP të ligës, por çmimet individuale nuk kanë shumë kuptim pa fituar ndeshje dhe, në fund të fundit, pa e fituar titullin e kampionit”.
“Besoj plotësisht se kemi atë që nevojitet për t’u kualifikuar në ‘play-off’. Sa i përket asaj se deri ku mund të shkojmë, është ende herët për të thënë, sepse mendoj se si skuadër kemi shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Nëse vazhdojmë të përparojmë, të qëndrojmë të përqendruar dhe të punojmë së bashku, besoj se mund të arrijmë diçka të veçantë këtë sezon”, deklaroi ai.

Basketbollisti e konsideron mundësinë që ka fituar me Rahoveci 029 si një bekim nga Zoti dhe beson se paraqitjet e mira, të shoqëruara me fitore të skuadrës, mund t’i hapin rrugën drejt një niveli më të lartë të basketbollit.
“Besoj vërtet se mundësia që kam me Rahovecin 029 dhe në Superligën e Kosovës është një bekim nga Zoti. Jam mirënjohës për vendin ku ndodhem tani dhe e kuptoj se, nëse vazhdoj të paraqitem në nivel të lartë dhe ta ndihmoj skuadrën të fitojë ndeshje, kam mundësinë ta çoj karrierën time në një nivel tjetër. Për momentin, besoj se e kam vetë në dorë fatin tim dhe gjithçka varet nga unë për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë mundësi”, përfundoi Adams./Telegrafi/











































